Foto: Lars-Gunnar Wigemark, Twitter

Shefi i EULEX-it dhe shefja e Operacioneve Aktuale të NATO-s flasin për sigurinë në Kosovë

Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, është takuar me shefen e Operacioneve Aktuale të NATO-s, Ariella Viehe, me të cilën ka biseduar për situatën e sigurisë në Kosovë.

Wigemark ka përmendur tensionet në veri të Kosovës si dhe zgjedhjet që pritet të mbahen në katër komunat veriore.

“Një diskutim i shkëlqyeshëm me shefen e Operacioneve Aktuale të NATO’s, Ariella Viehe, për situatën e sigurisë në Kosovë pas krizës së vitit të kaluar dhe në hijen e zgjedhjeve komunale në 4 komunat veriore” – ka shkruar shefi i EULEX-it në Twitter.

 

Ai ka shtuar se në këtë takim kanë diskutuar edhe për bashkëpunimin e ngushtë mes EULEX-it dhe KFOR-it.

Zgjedhjet janë caktuar të mbahen më 23 prill, pas shtyrjes së tyre në dhjetor të vitit të kaluar, me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale do të organizohen në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – pas dorëheqjeve të kryetarëve të tyre, në nëntor të vitit të kaluar.

Dorëheqjet e tyre, si dhe dorëheqjet kolektive të serbëve nga institucionet e Kosovës, kanë qenë shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës.