Ilustrim: Gaza, Foto: UNRWA/facebook

Shefi i emergjencave në Gazën veriore: “Qentë po i hanë të vdekurit rrugëve”

Trupa të shtrirë rrugëve të pluhurosura, rrugë të shkatërruara tërësisht prej sulmeve izraelite dhe njerëz që po vdesin urie. Ky është përshkrimi i Jabalyas, qytet në Gazën veriore, prej shefit të shërbimeve të emergjencave në rajon, raporton televizioni amerikan CNN.

“Ju mund t’i shihni shenjat e urisë te njerëzit në Gazën veriore”, ka thënë Fares Afana, shef i shërbimeve të emergjencës në Gazën veriore në një intervistë telefonike për televizionin CNN. “Forcat izraelite po shkatërrojnë gjithçka që paraqet jetë ose shenjë jete”.

Afana i ka thënë CNN-it se ai dhe kolegët kanë mbledhur trupa të palestinezëve të vrarë në Gazën veriore, me disa prej trupave me shenja se ishin shqyer prej kafshëve, gjë që e ka bërë më të vështirë procesin e identifikimit të viktimave.

“Qentë endacakë, të cilët janë të uritur, po i hanë ato kufoma në rrugë… kjo na e vështirëson identifikimin e tyre”, ka thënë ai.

Ai ka ndarë një fotografi për televizionin CNN ku shihen mbetjet e një djaloshi, për të cilin ka thënë se ishte ngrënë nga qentë endacakë.

Afana ka thënë se janë “mijëra fëmijë” dhe gra shtatzëna që ndodhen në rajonin e rrethuar, ku ushtria izraelite ka kryer operacione tokësore dhe ajrore në tri lagje gjatë dymbëdhjetë ditëve të kaluara.

Forcat Izraelite të Mbrojtjes(IDF) kanë thënë se po sulmojnë militantët e “Hamasit” që kanë rikthyer praninë e tyre në zonë.

Civilët, ose të zhvendosen ose të vdesin urie

Së paku 50 mijë persona janë zhvendosur nga rajoni i Jabalyas, ka bërë të ditur Zyra për koordinim të çështjeve humanitare e OKB-së. 400 mijë banorët që kanë ngelur në Gazën veriore vazhdojnë të përballen me uri dhe me bombardime të vazhdueshme izraelite.

OKB-ja ka fajësuar ushtrinë izraelite se po i detyron banorët që të zgjedhin ndërmjet zhvendosjes dhe urisë.

“Civilëve nuk po u jepet tjetër mundësi, pos të vdesin urie ose të largohen”, ka deklaruar Philippe Lazzarini, drejtor i agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë(UNRWA). “Në Gazë janë shkelur shumë vija të kuqe. Çfarë mund të përbëjë krim lufte ende mund të parandalohet”.

Afana ka akuzuar ushtrinë izraelite se ka qëlluar në drejtim të civilëve që po kërkoni ushqim në një depo ushqimi të menaxhuar nga UNRWA. “Situata po përkeqësohet”, ka thënë ai.

Kjo agjenci ka konfirmuar se sulmi me artileri në qendrën e shpërndarjes së ushqimit në Jabalya ka vrarë 10 persona dhe se 40 të tjerë janë plagosur.

Televizioni CNN ka kërkuar koment edhe nga IDF-ja.

“Gjenocid i vërtetë”

Afana ka thënë se edhe mjekët dhe infermieret po e kanë të vështirë t’u ofrojnë ndihmë njerëzve për shkak të rrugëve të shkatërruara dhe rrezikut se mund të shënjestrohen prej forcave izraelite.

“Çfarë po ndodh në Gazën veriore është gjenocid i vërtetë”, ka thënë Afana. “Nuk mund ta bëjmë punën tonë normalisht”.

CNN ka kërkuar komentin e IDF-së pas akuzave të Afanas se po shërbimet e ndihmës së parë po sulmohen nga ushtria izraelite.

Së paku 342 palestinezë janë vrarë në pjesë të Gazës veriore prejse nisën operacionet ushtarake izraelite në fillim të muajit, ka bërë të ditur Zyra për media e Gazës, duke shtuar se qindra “civilë, fëmijë dhe gra”, janë plagosur. Të martën, janë vrarë së paku 17 persona në Gazën veriore, ka bërë të ditur Mbrojtja Civile e Gazës.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com