Shefi i deputetëve të LDK-së deklarohet për propozimin e Thaçit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme

Shefi i Grupit Parlamnetar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se Kryesia e partisë së tij dhe grupi parlamentar duhet të mblidhen për të diskutuar nëse do ta votojnë propozimin e presidentit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të coronavirusit.

Gashi ka thënë për KALLXO.com se do ta shqyrtojnë propozimin kur të dërgohet në Kuvendin e Kosovës.

“Propozimi nuk ka ardhë hala në Kuvend, kur të vjen e shikojmë dhe e japim qëndrimin tonë. Duhet me u mbledh grupi parlamnetar dhe kryesia e partisë për me vendos për këtë çështje”, tha ai.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka propozuar Kuvendit që të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në vend pas situatës së krijuar me coronavirusin.

Propozimin presidenti e ka bërë pas një mbledhjeje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Kurse, Qeveria e Kosovës ka vlerësuar se gjendja e jashtëzakonshme e propozuar nga presidenti Hashim Thaçi është masë ekstreme dhe e panevojshme.

Por sot gjatë ditës, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka bërë thirrje tek liderët që të komunikojnë si asnjëherë më parë duke vepruar konform Kushtetutës, duke aluduar në shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Deri më tani në Kosovë janë identifikuar 19 persona të prekur me virusin COVID-19.