Shefi i CIA-s në takim me kryeministrin Kurti

Shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns po qëndron edhe sot më 23.08.2024 në Kosovë.

Ai është duke zhvilluar takim më kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Takimi ka nisur rreth orës 09:00.

Ekipi i KALLXO.com nga vendi i ngjarjes raporton se janë marrë masa të larta të Policisë përreth objektit të Qeverisë së Kosovës.

Dje Burns u takua në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Rreth takimeve nuk është deklaruar askush nga palët.

Vizita e Burns në Kosovë vjen pasi zyrtari i lartë i inteligjencës amerikane qëndroi edhe në vendet e tjera të rajonit.

Shefi i CIA-se përfundon takimin me presidenten Osmani

Në Bosnje e Hercegovinë më 20 gusht, Burns u takua me homologët e tij nga sektori i inteligjencës, me anëtarët e Presidencës së këtij shteti dhe me ministrin e Jashtëm të Bosnjës.

Ndërkaq, më 21 gusht shkoi në Beograd, por kjo vizitë nuk u konfirmua dhe as u mohua nga zyrtarët në Serbi dhe Shtetet e Bashkuara.

Burns është ish-ambasador i SHBA-së në Rusi. Siç shkruan REL, ai është një figurë qendrore në administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, pasi ai është edhe anëtar i kabinetit presidencial të Shtëpisë së Bardhë.

Ai u emërua nga presidenti Biden në postin e drejtorit të CIA-s në janar të vitit 2021.