
Shefi i BE-së takohet me Peter Sorensen, i bindur se do të ndihmoj në raportet Kosovë- Serbi
Shefi i ri i Bashkimi Evropian, Aivo Orav është takuar me emisarin e ri të caktuar për dialogun Kosovë- Serbi.
Në rrjetin social ‘X’, Orav ka shkruar se ka pasur një takim të shkëlqyer me Sorensen ndërsa ka shtuar se i njëjti në bazë të përvojës së tij do të ndihmoj shumë në avancimin e marrëdhënieve Kosovë- Serbi.
“Jam i bindur se përvoja e tij e gjerë diplomatike do të ndihmojë në avancimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ekipi im dhe unë do ta mbështesim plotësisht!”- ka shkruar Orav në ‘X’.
Para Sorensen, emisar për dialogun Kosovë- Serbi ishte Miroslav Lajçak.
Në anën tjetër, Sorensen nga Danimarka ka përvojë të gjatë diplomatike në strukturat e BE-së. Ai ka qenë edhe Këshilltar i lartë në Shërbimin e Veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) për diplomaci digjitale.
Gjatë karrierës së tij diplomatike në BE, Sorensen ka ushtruar disa detyra në Ballkanin Perëndimor. Ka shërbyer si përfaqësues i posaçëm i BE-së për Bosnje e Hercegovinë dhe shef i zyrës së BE-së në Sarajevë. Po ashtu ka qenë edhe shef i delegacionit të bllokut evropian në Shkup.
Më herët, Sorensen ka punuar si këshilltar edhe në Kosovë në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa ka qenë edhe përfaqësues i posaçëm i përfaqësuesit të lartë të BE-së në Serbi. Në Ballkan, ai ka punuar edhe në misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kroaci.
Gjatë mandatit gati pesëvjeçar të Lajçakut, Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve.Marrëveshja, e cila nuk është nënshkruar, është ligjërisht e obligueshme për palët ka thënë blloku.
BE-ja ka akuzuar Kosovën dhe Serbinë për mosnisjen e zbatimit të paktit, duke thënë se kjo do të ndikojë në rrugëtimin e dy shteteve drejt integrimeve evropiane.Dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011.
Gjatë procesit janë arritur disa marrëveshje, por pak prej tyre janë zbatuar në terren.