
Foto: Shefi i BE-së Aivo Orav në "X"
Shefi i BE-së flet me liderët e katër partive për hapat paszgjedhorë në Kosovë
Shefi i Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Aivo Orav ua ka rikujtuar liderëve të katër partive më të mëdha në Kosovë, se Qeveria e re duhet të ndjekë në mënyrë aktive reformat për anëtarësim të vendit në BE.
Orav, më 18.02.2025, i ka takuar ndaras kryeministrin Albin Kurti në Zyrën e tij në Qeveri, kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhikun, kreun e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqin dhe kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinajn. Këta tre të fundit i ka takuar në Zyret e tyre partiake.
“Vura në dukje se shumica dërrmuese e njerëzve në #Kosovë aspirojnë të anëtarësohen në BE. Qeveria e re duhet të ndjekë në mënyrë aktive reformat për ta realizuar këtë.” – shkruan në postimin e Orav, në rrjetin social “X”.
Held separate meetings with @albinkurti, @MemliKrasniqi, @LumirAbdixhiku & @haradinajramush to discuss next steps after the elections.
Noted that the vast majority of the people in #Kosovo aspire to join the EU. The new government must actively pursue reforms to make this happen. pic.twitter.com/AZUpRfZMN8— Aivo Orav (@AivoOrav) February 18, 2025
Ai tha se i ka takuar për të diskutuar për hapat paszgjedhorë.
Për takimin me Orav-in ka njoftuar edhe Zyra e Kryeministrit.
“Gjatë takimit, ambasadori Orav vlerësoi pozitivisht procesin zgjedhor të 9 shkurtit, duke e cilësuar atë si të rregullt dhe pa incidente dhe theksoi se pozitivisht është vlerësuar edhe nga Brukseli. Ambasadori Orav e uroi Kryeministrin për fitoren dhe rezultatin në këto Zgjedhje. Bashkë diskutuan për hapat e mëtejmë drejt konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re të Republikës së Kosovës.” – thuhet në njoftim.
Zyra e Kryeminsitrit bën të ditur se në takim u diskutua edhe për domosdoshmërinë e heqjes së masave ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian dhe për nevojën për shqyrtim sa më të shpejtë të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE.
Sipas përditësimit të fundit të bërë më 12.02.2025, në ora 22:12 të KQZ-së, janë numëruar 99.72% e votave për subjektet politike që morën pjesë në Zgjedhje.
Nga rezultatet aktuale preliminare që ka nxjerrë KQZ, Lëvizja Vetëvendosje ka 40.84%, Partia Demokratike e Kosovës 22.05%, Lidhja Demokratike e Kosovës 17.67%, Koalicioni AAK-NISMA 7.45%, Lista Serbe 4.55%, Koalicioni për Familjen 2.26%.
Sipas KQZ-së, rezultatet preliminare nuk përfshijnë: votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës.
Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë të gjashtat me radhë që janë mbajtur që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17.02.2008.