Shefi gjerman i spiunazhit nuk sheh asnjë 'çarje' në sistemin e Putinit

Mosmarrëveshjet në shoqërinë ruse nuk përbëjnë kërcënim për qeverinë e Vladimir Putinit, thotë Bruno Kahl, Shefi i shërbimit të inteligjencës së jashtme të Gjermanisë. Kahl argumenton se Moska ka rekrutë dhe pajisje të mjaftueshme për luftë.

Bruno Kahl, Shefi i Agjencisë Gjermane të Inteligjencës (BND), deklaroi të hënën se nuk sheh ndonjë dobësim të sundimit të presidentit rus Vladimir Putin.

“Ne nuk shohim të çara në sistemin e Putinit,” deklaroi Kahl në Akademinë Federale për Politikat e Sigurisë (BAKS).

Çfarë thotë shefi gjerman i spiunazhit për Rusinë

Kahl argumentoi se kritikat publike për menaxhimin e luftës përbëjnë mosmarrëveshje rutinë brenda shoqërisë ruse dhe nuk përbëjnë kërcënim për regjimin e Putinit.

“Rusia është ende e aftë ta zhvillojë një luftë afatgjatë,” thotë Kaakl, duke i marrë si shembull ushtarët e saporekrutuar. Kahl shton se Rusia gjithashtu ka pajisje dhe municione të mjaftueshme.

Megjithatë, Kahl thotë se Rusia ka disa dobësi, duke përfshirë performancën e forcave të armatosura.

Shefi i spiunazhit argumenton se strategjia afatgjate e Putinit mund të mbizotërojë nëse Perëndimi nuk e mbështet Ukrainën në një mënyrë shumë të organizuar.

Kahl tutje shton se BND e dinte që Rusia do ta fillonte një pushtim të plotë të Ukrainës dy javë para fillimit të luftës më 24 shkurt 2022.

“Rreth 14 ditë para fillimit të luftës ne i kemi vërejtur fenomene që nuk mund të interpretohen ndryshe”, tha ai.

Duke iu përgjigjur kritikave në lidhje me faktin se shërbimet sekrete amerikane dhe britanike prisnin një sulm shumë më herët, Kahl tha se BND e bazoi vlerësimin e saj në faktin se vendimi për inavazion ushtarak në Ukrainë ishte marrë përfundimisht nga Putin.

Kahl argumenton se Putini mori parasysh faktorë të tjerë përveç “numërimit të raketave apo tankeve”.

Kahl kërkon shkëputjen nga Kina

Shefi i spiunazhit i kërkoi Gjermanisë ta reduktojë varësinë e saj nga Kina, ndërkohë që paralajmëroi se kjo nuk mund të arrihet në një periudhë afatshkurtër.

“Kjo nuk mund të bëhet në mënyrë përçarëse, jo brenda natës,” tha Kahl.

Ai tha se BND nuk dëshiron shkëputje të plotë nga Kina, duke argumentuar se një gjë e tillë do t’i dëmtonte bizneset gjermane./DW

Përgatiti: Taulant Osmani