SHBA, viti 2022 nis me një rritje të shpejtë të rasteve me COVID-19

Viti 2022 fillon me një rritje të shpejtë të rasteve të infektimeve me koronavirus. Javën e fundit të vitit që lamë pas u raportuan më shumë se dy milionë raste infektimesh. Një numër shtetesh u detyruan të ndryshojnë planet e festimeve, ndërsa vazhdojnë radhët e gjata të njerëzve për t’u testuar.

Ndërsa amerikanët festuan vitin e ri dhe i dhanë lamtumirën vitit 2021, numri i rasteve të infektimeve vazhdon të rritet. Një shifër rekord prej 2.2 milionë rastesh u njoftua javën e fundit, me rreth katër amerikanë që rezultonin pozitiv çdo sekondë.

Në sheshin “Times Square” rreth 15 mijë njerëz plotësisht të vaksinuar dhe me maska pritën ndërrimin e viteve gjatë një ceremonie tradicionale.

Qytete të tjera, që nga Atlanta deri në San Françisko, i anuluan ceremonitë e vitit të ri.

Ndërkohë, në mbarë vendin vazhduan radhët e gjata për t’u testuar.

“Na thanë se kishim shumë pak mundësi për të bërë testin sepse rreth 200 njerëz ishin në radhë para nesh. Klinika u mbyll para se të na vinte radha”, thotë Lucy Fekade nga Drexel Hill në shtetin Pensilvania.

Në zonën e San Françiskos, një drejtori arsimore po shpërndan pajisje për testin e kovidit para se shkollat të hapin dyert të hënën.

“Po shkon shumë mirë. Vajta dhe u ktheva shpejt. Gjithçka ishte e shpejtë”,thotë Jeanne-Marie French, një nënë në Luginën Castro.

Ndërkohë në Havai, shtet i cili po sheh rritje rekord të rasteve, udhëheqësit lokalë dhe të shendetësisë po u bëjnë thirrje njerëzve që të vaksinohen.

“Po përdorim shprehjet havaiane që të inkurajojmë njerëzit të na mbrojnë të gjithëve”, thotë Dr. Nalani Blaisdell me Shoqatën e Mjekëve autokton të Havait.

Ndërkohë, zyrtarët e shëndetësisë vazhdojnë të ngrenë zërin për një rritje të mundshme të infektimeve këtë fillim vit./VOA