Foto: BBC/Twitter

SHBA thotë se raketa në Poloni është lëshuar nga Ukraina në përpjekje për ta rrëzuar një predhë ruse

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se raketa që goditi Poloninë të martën u qëllua nga forcat ukrainase në përpjekjet e tyre për ta rrëzuar një predhë ruse në hyrje.

Tre zyrtarë amerikanë cituan vlerësime paraprake të cilat sugjeronin se raketa ishte lëshuar nga forcat ukrainase gjatë një bombardimi rus në infrastrukturën energjetike në të gjithë Ukrainën.

Volodymyr Zelensky e ka fajësuar drejtpërdrejt Rusinë për shpërthimin e raketave në Poloni që la të vrarë dy persona dje në mbrëmje, duke thënë se vendi i tij kishte paralajmëruar se terrori i Moskës nuk do të kufizohej vetëm në kufijtë kombëtar të Ukrainës.

SHBA dhe aleatët perëndimorë po i hetojnë raportet, por ende nuk kanë konfirmuar se shpërthimi është shkaktuar nga Rusia.

Polonia po e rrit “gatishmërinë” e disa njësive ushtarake dhe mbikëqyrjen ajrore mes raporteve se shpërthimi u shkaktua nga një ose më shumë raketa të humbura ruse, thanë zyrtarët.

Orë më parë, presidenti amerikan Joe Biden deklaroi se duket “e pamundur” që raketa të jetë lëshuar nga Rusia, por se ai do ta mbështeste hetimin polak lidhur me këtë.

Rusia e ka mohuar përgjegjësinë dhe i ka quajtur raportet “një provokim të qëllimshëm që synon përshkallëzimin e situatës”./Independent

Përgatiti: Nuhi Shala