ilustrim

SHBA, shumica incidenteve me armë në shkolla nuk janë sulme në masë

Në maj të këtij viti, Shtetet e Bashkuara u tronditën kur një person në Buffalo të shtetit të Nju Jorkut, vrau 10 persona në një dyqan ushqimesh dhe dhjetë ditë më pas, një tjetër person i armatosur vrau 19 fëmijë dhe dy mësues në Uvalde, Teksas, në sulmin më të rëndë në një shkollë fillore që nga Sandy Hook gati një dekadë më parë. Por ekspertët thonë se shumica e sulmeve me armë brenda dhe përreth shkollave nuk janë masive, por incidente që përshkallëzohen.

Keyon Robinsonit i kishte mbetur vetëm një muaj nga mbarimi i shkollës së mesme, kur mori një vendim të nxituar që tronditi komunitetin e tij.

Pas një konflikti me një të afërm në maj, ai mori një armë, e vendosi në çantën e shpinës dhe u nis për në shkollën e tij në Oak Park, një periferi në Çikago. Robinson këmbëngul se ai kurrë nuk kishte ndërmend të lëndonte dikë në shkollë. Ai ishte i zemëruar për grindjen dhe kishte frikë se dikush mund të donte t’i bënte keq.

“Dua ta bëj të qartë se nuk kisha asnjë synim që t’i bëja keq njeriu në shkollë. Nuk kisha ndër mend ta përdorja armën në shkollë”, thotë ai.

Ai mendonte se arma e zjarrit, e ashtuquajtur fantazmë pasi ishte pa numër serial dhe që ai kishte blerë nëpërmjet rrjeteve sociale, ishte mbrojtja e tij.

Njëmbëdhjetë ditë pas arrestimit të Robinsonit, një person në Buffalo të shtetit të Nju Jorkut, vrau 10 persona në një dyqan ushqimesh.

Dhjetë ditë më pas, një tjetër person i armatosur vrau 19 fëmijë dhe dy mësues në Uvalde, Teksas, në sulmin më të rëndë në një shkollë fillore që nga Sandy Hook gati një dekadë më parë.

Ato ngjarje e tronditën vendin për arsye të kuptueshme, por rastet si ai i Robinsonit janë më tipike dhe armët sillen në shkolla më shpesh sesa mund të mendohet.

Shumica e sulmeve me armë brenda dhe përreth shkollave nuk janë masive, por incidente që përshkallëzohen, sipas një raporti të Bazës së të Dhënave për incidentet me armë zjarri në shkolla të Qendrës për Mbrojtjen dhe Sigurinë Kombëtare.

Në rastin e Robinsonit, askush nuk u lëndua. Ai kurrë nuk hapi zjarr dhe e mbajti armën në çantën e shpinës. Policia, e cila ishte informuar, e arrestoi atë jashtë shkollës.

Avokati i tij, Thomas Benno thotë se nuk është mirë të nxitohet me spekullime.

“Media njofton se një fëmijë është gjetur me armë në shkollë dhe njerëzit menjëherë nxjerrin përfundime. Është gjëja më e keqe që mund të bësh”, thotë ai.

Incidenti ka tronditur komunitetin dhe si pasojë e tij shkolla e mesme forcoi masat e sigurisë.

Ekspertët e sigurisë thonë se shkollat janë një mikrokozmos i një bote ku armëmbajtja po bëhet gjithnjë e më e zakonshme.

Policia në shtetin e Ilinoit dhe gjetkë thotë se po sheh gjithnjë e më shumë armë që është vështirë të gjurmohen, duke shkaktuar më shumë shqetësim.

Disa prindër duan të vendosin detektorë metali dhe masa të tjera. Por ekspertët thonë se kjo nuk është domosdoshmërisht masa më efektive frenuese ose e realizueshme për shkollat e mëdha.

“Më trishton thellësisht që duhet të bëni një gjë të tillë në shkolla, por e vlerësoj. Nuk është e drejtë që të jemi të shqetësuar në këtë nivel në shkolla. Por jemi të detyruar”, thotë Ralph Martire, anëtar i një bordi shkollor.

Mo Canady, i cili drejton Shoqatën Kombëtare të Oficerëve të Shkollave, thotë se sigurimi i dyerve rreth një shkolle dhe inkurajimi i studentëve dhe mësuesve për të raportuar sjellje të dyshimta janë ndër metodat që funksionojnë më mirë.

“Nuk duhet të reagojmë me impulsivitet, saqë gjërat të shkojnë në drejtim aq të skajshëm, saqë fëmijët të ndjehen sikur po shkojnë në burg, jo në shkollë”.

Por të tjerë, si Carmine Marceno, sherif në Distriktin Lee të Floridës, po marrin masa të ashpra – duke arrestuar fëmijë deri në moshën 10 vjeç kur ata postojnë kërcënime në internet për shkollat. Ai gjithashtu ka publikuar fotot e tyre.

“Në një botë të përkryer nuk do të na duhej të bënim një gjë të tillë, por kur një 10 vjeçar bën kërcënime me shkrim se do të bëjë një sulm masiv, do t’i nxjerrim fotografitë sepse unë dua që të gjithë do ta dinë se çfarë nuk do të tolerojmë”, thotë ai.

Zyrtarët në Oak Park po rivendosin lidhjet me policinë lokale pasi hoqën programin e oficerëve nëpër shkolla në vitin 2020, pasi një oficer policie në Minneapolis vrau George Floydin ndërsa të tjerë nuk ndërhynë për ta ndaluar.

Keyon Robinson, sot 19 vjeç, u lejua të përfundonte detyrimet e shkollës dhe të diplomohej këtë verë. Ai thotë se është në favor të pranisë së policisë në shkolla, veçanërisht pas incidentit të tij me armëmbajtje, por do të bëjë të qartë se e kupton gabimin e tij.

“Unë nuk jam nga ata që bëjnë gjëra të këqija ose veprime që i bëjnë bandat dhe luan me armë zjarri. Nuk jam i tillë. Unë jam në përgjithësi një njeri i mirë që kam përparësi, plane, që dua të shkoj në universitet”, thotë ai.

Si shkelës për herë të parë, ai shpreson gjithashtu për një dënim me kusht në vend të burgut. Nëse ai do të ketë një shans të dytë, mbetet për t’u parë./VOA