Ambasada iraniane/ Foto: noanews

SHBA sanksionon Iranin për sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë

Departamenti amerikan i thesarit i ka vendosur sanksione Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Iranit (MOIS) dhe ministrit të saj për shkak të sulmeve kibernetike ndaj Shqipërisë.

Në një komunikatë për media nga ky departament, nënsekretari i Thesarit, Brian Nelson ka thënë se sulmi kibernetik iranian kundër shtetit shqiptar shprërfill normat e sjelljes së përgjegjshme të një shteti në kohë paqeje.

“Sulmi kibernetik i Iranit kundër Shqipërisë shpërfill normat e sjelljes së përgjegjshme të shtetit në kohë paqeje në hapësirën kibernetike, e cila përfshin një normë për të përmbajtur nga dëmtimi i infrastrukturës kritike që ofron shërbime për publikun”- ka deklaruar Nelson.

“Ne nuk do të tolerojmë aktivitetet kibernetike gjithnjë e më agresive të Iranit që synojnë Shtetet e Bashkuara ose aleatët dhe partnerët tanë”- shton ai.

Sipas njoftimit, që nga viti MOIS dhe përfaqësuesit e tij, kanë kryer sulme kibernetike dhe se të njëjtin kyen të njëjtin veprim duke bërë që të ndërprejnë sistemet kompjuterike të shqiptarëve.

“Të paktën që nga viti 2007, MOIS dhe përfaqësuesit e tij të aktorëve kibernetikë kanë kryer operacione keqdashëse kibernetike që synojnë një sërë organizatash qeveritare dhe të sektorit privat në mbarë botën dhe në sektorë të ndryshëm të infrastrukturës kritike. Në korrik 2022, aktorët e kërcënimeve kibernetike që vlerësohen të sponsorizohen nga Qeveria e Iranit dhe MOIS ndërprenë sistemet kompjuterike të qeverisë shqiptare, duke e detyruar qeverinë të pezullojë shërbimet publike online për qytetarët e saj” – njofton departamenti amerikan.

Në 15 korrik Shqipëria u bë objekt i një sulmi të rëndë kibernetik, i cili kishte si objektiv shkatërrimin e infrastrukturës digjitale të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, si edhe grabitjen e të dhënave dhe të komunikimeve elektronike nga sistemet qeveritare.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se e dënon sulmin kibernetik të Iranit kundër Shqipërisë dhe se i bashkohet thirrjes së kryeministrit shqiptar, Edi Rama që Irani të mbajë përgjegjësi për këtë incident.

Shqipëria i ka shkëputur marrëdhëniet diplomatike me Iranin pas sulmit kibernetik dhe ka kërkuar nga trupa diplomatike që të lëshojnë objektin e Ambasadës dhe Shqipërinë brenda 24 orëve. Para largimit, diplomatët iranianë janë parë duke djegur dokumente ndërsa pas largimit forcat shqiptare kanë zbarkuar brenda objektit të Ambasadës.