ShBA: Nivel rekord infeksionesh ditore me COVID-19 në 5 shtete

Në Shtetet e Bashkuara Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve njoftoi të shtunën 44,602 raste të reja me coronavirus në 24 orët e fundit. Kjo e çon në mbi 2.5 milionë numrin total të rasteve të konfirmuara me COVID-19 në Shtetet e Bashkuara. Në dy ditët e fundit u shënuan 651 vdekje nga COVID-19, duke e çuar në 125.539 numrin total të vdekjeve të konfirmuara nga coronavirusi në Shtetet e Bashkuara që nga fillimi i pandemisë.

Pesë shtete amerikane raportuan të shtunën shifra ditore rekord të infektuarish me coronavirus. Florida raportoi 9.585 raste të reja, ndërsa Xhorxhia 1.990 raste të reja. Karolina e Jugut raportoi 1.604 raste të reja të infeksioneve me coronavirus, Arizona 3.591 dhe Nevada 1,099. Këto shifra theksojnë përhapjen e shpejtë të sëmundjes në disa shtete amerikane jugore dhe perëndimore.

Rastet e coronavirusit po rriten edhe në Teksas, ku të shtunën u raportuan më shumë se 5.700 infeksione të reja dhe 42 vdekje, duke e çuar në rreth 2.400 numrin total të personave që kanë humbur jetën nga COVID-19 në këtë shtet. Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, riktheu kufizimet ndaj restoranteve dhe sërish urdhëroi mbylljen e lokaleve.

“Nëse do të mund të kthehesha në kohë, me siguri do të vendosja për ngadalësimin e rihapjes së lokaleve, duke parë tani pasojat dhe shpejtësinë e përhapjes së coronavirusit në to”, tha Guvernatori Abbott në një intervistë të premten në mbrëmje në televizionin KVIA në qytetin e El Pasos.

Presidenti Donald Trump është kritikuar kohët e fundit për një tubim fushate që zhvilloi më 20 qershor në Tulsa të Oklahomës, për shkak se nuk kërkoi zbatimin e rregullave të distancimit fizik.

Mediat kanë raportuar se punonjësit e pallatit sportiv “BOK”, ku u mbajt mitingu, kishin vendosur tabela për të inkurajuar distancimin fizik, por më vonë kishin marrë udhëzime nga personeli i fushatës së presidentit për t’i hequr ato, vetëm disa orë para fillimit të tubimit.

Gazeta “The Washington Post” raportoi se menaxherët e qendrës BOK kishin blerë 12,000 afishe për tubimin në përpjekje për t’i inkurajuar njerëzit që të respektojnë rregullat e distancimit fizik, një praktikë standarde e përdorur për të shmangur përhapjen e coronavirusit në vendet publike.

“The Washington Post” publikoi një video, ku shfaqeshin dy persona të paidentifikuar duke hequr afishet nga salla ku më vonë u mbajt tubimi.

Revista “Billboard” ishte media e parë që të premten raportoi se zyrtarët e fushatës së Presidentit Trump kërkuan heqjen e afisheve nga ndenjëset në sallë. Raporti i revistës “Billboard” bënte të ditur gjithashtu se menaxherët e qendrës BOK i kishin kërkuar zyrtarëve të fushatës së Presidentit Trump që të paraqiste një plan sigurie për tubimin, por tha se ata nuk i plotësuan kërkesat.

Nënpresidenti Mike Pence do të marrë pjesë në një tubim fushate të dielën në kishën e parë Baptiste në Dallas, ku më pas do të takohet me Guvernatorin e Teksasit, Greg Abbott./VOA