Foto: REL/AFP

ShBA, nënshkruhen letrat e interesit për 'Autostradën e Paqes' që lidh Prishtinën me Nishin

Pas marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë të nënshkruar më 4 shtator në Uashington, të martën në ShBA janë nënshkruar letrat e interesit për ndërtimin e “Autostradës së Paqes”, që lidh Prishtinën dhe Nishin.

Njoftimi është bërë i ditur nga Korporata Ndërkombëtare e Financave të Zhvillimit të SHBA (DFC), e cila është bankë amerikane  e zhvillimit.

Sipas njoftimit, kryeshefi Korporatës Ndërkombëtare të Financave të Zhvillimit të SHBA, Adam Boehler dhe kryetari i Bankës së Eksport-Importit, Kimberly Reed nënshkruan letrat e interesit sot me Serbinë dhe Kosovën për të ndihmuar financimin e ndërtimit të autostradës.

Në deklaratë tutje thuhet se ky projekt do të lidh Prishtinën dhe Nishin dhe ka qenë prej kohësh një pjesë kryesore e bisedimeve të normalizimit midis Serbisë dhe Kosovës.

Boehler  ka deklaruar se “Autostrada e Paqes” do të drejtojë zhvillimin ekonomik dhe integrimin rajonal duke lidhur Nishin dhe Prishtinën.

“Ajo do të shërbejë gjithashtu si një simbol i fuqishëm i marrëdhënies së re, transformuese midis këtyre vendeve fqinje”, theksoi ai duke shtuar se është e angazhuar për avancimin e këtij procesi paqësor duke investuar në projekte që krijojnë vende pune dhe sjellin përfitime të qëndrueshme ekonomike për të dy vendet.

Kurse, Reed për këtë ka përgëzuar presidentin amerikan Donald Trump.

“Autostrada e Paqes është një hap i rëndësishëm drejt bashkëpunimit ekonomik midis Beogradit dhe Prishtinës dhe unë përgëzoj punën e Presidentit Trump dhe të gjithë administratës mbi këtë marrëveshje historike,” shtoi ai.

“Banka Eksport-Import e Shteteve të Bashkuara është e përkushtuar të mbështesë projekte që përparojnë zhvillimin ekonomik dhe punësimin në rajon dhe mbështesin eksportet dhe punëtorët amerikanë. Unë pres që të punoj me Korporatën Ndërkombëtare të Financave të Zhvillimit të ShBA-së dhe pjesën tjetër të kolegëve të mi drejt këtij qëllimi”, theksoi Reed.

Në këtë njoftim thekson se DFC dhe EXIM planifikojnë të dërgojnë delegacione në Beograd dhe Prishtinë më vonë këtë muaj për të çuar përpara punën në autostradë dhe projekte të tjera.

“DFC gjithashtu do të hedhë bazat për hapjen e zyrës së saj të parë në rajon. Një prani e përhershme e DFC në Beograd do të lehtësojë zbatimin e projekteve përparësore si Autostrada e Paqes që do të mbështesë krijimin e vendeve të punës dhe rritjen ekonomike në rajon”, thuhet në njoftim.

Sipas tyrem letrat e interesit të nënshkruara sot nuk janë detyruese dhe do të pasohen nga kujdesi i duhur standard i kryer nga të dy agjencitë përpara se financimi të kryhet zyrtarisht.

Më 4 shtator, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kanë nënshkruar marrëveshje për normalizim ekonomik, por e cila përmbante disa pika me karakter politik.

Çfarë përmban marrëveshja e nënshkruar në Uashington?