SHBA ndan 1.1 milion euro për Kosovën në luftën kundër CoVid-19

Qeveria e Kosovës përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë ndarë 1.1 milion euro për Qeverinë e Kosovës në luftën kundër virusit COVID-19.

“Sot, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e informoi Qeverinë e Kosovës për vendimin e saj të fundit nga Departamentit i Shtetit, deklaruar nga Sekretari Mike Pompeo se ShBA-të kanë ndarë 1.1 milion euro për luftimin e virusit COVID-19”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Para dy ditësh, Kosova kishte pranuar 68 milionë euro nga Bashkimi Evropian për luftën kundër pandemisë coronavirus.

“Ky është edhe një lajm tjetër shumë i mirë për qytetarët e vendit tonë, ngase pardje nga Bashkimi Evropian siguruam 68 milionë euro dhe se përkushtimi i Qeverisë është në nivelin e duhur për tu përballur me këtë pandemi”, thuhet tutje në komunikatë.