Philip Kosnett - Ambasador i ShBA-së në Kosovë

ShBA ndan 1.1 milion dollarë për institucionet e Kosovës kundër COVID-19

Qeveria e Kosovës pritet të marrë 1.1 milion dollarë ndihmë nga Departamenti amerikan i Shtetit për luftimin e pandemisë së coronavisurit.

Këtë e ka bërë të ditur ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, përmes një videoje të publikuar në Twitter.

Kosnett ka vlerësuar jashtëzakonisht punën që institucionet e Kosovës e kanë bërë për parandalimin e coronavirusit.

“Së bashku ne mund ta mposhtim Covid-19, Amerika qëndron pranë Kosovës”, ka thënë Kosnett.

Sipas tij kjo ndihmë është ndarë për ta zbutur ndikimin e pandemisë.

“Qeveria e Kosovës merr 1,1 milion dollarë nga ShBA për të siguruar mbështetje operacionale dhe për të rritur aftësinë e reagimit të Kosovës për të ndaluar transmetimin e mëtutjeshëm dhe për të zbutur ndikimin e COVID-19”, ka shkruar Kosnett.

Në Kosovë deri më tani janë identifikuar 94 të prekur me coronavirus, një person ka vdekur nga ky virus dhe një është shëruar.

Sot poashtu është nënshkruar kontrata në vlerë prej 5 milionë euro ndihma të menjëhershme nga Bashkimi Evropian për Kosovën për luftën drejt parandalimit të përhapjes së virusit COVID-19.