Departamenti Amerikan i Shtetit - Foto: REL

SHBA mirëpret bisedimet në Bruksel: Themelimi i Asociacionit, kritik për të ardhmen e Kosovës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mirëpritur bisedimet në takimin e së hënës mes kryeminsitrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel, duke e cilësuar si një hap të mirë përpara.

Por, sipas SHBA-së, progresi drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe mbetet kritik.

“Progresi drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe mbetet kritik për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës si një vend sovran, multietnik dhe i pavarur i integruar në strukturat euroatlantike”- thuhet në reagimin e Departamentit amerikan të Shtetit.

Sipas SHBA-së, marrëveshja mbi aneksin e zbatimit është thelbësore për normalizimin sipas propozimit të BE-së.

Të hënën, më 27 shkurt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, janë takuar në Bruksel për të diskutuar propozimin e BE-së.

Në fund të takimit, pro-planit është shprehur vetëm kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërsa Vuçiq – duke iu shmangur deklaratave për planin – ka thënë se është e mundur të arrihen disa kompromise dhe janë duke punuar për zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese.

Nikoqiri i takimit të liderëve, kryediplomati evropian, Josep Borell, kanë thënë në fund të ditës se të dyja palët kanë shprehur gatishmëri për të vazhduar në zbatimin e marrëveshjes.

Kryetema e këtij plani ishte perceptuar të jetë marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, mirëpo kjo marrëveshje nuk përmendet veçmas në asnjë nga 11 nenet e këtij plani.

Mirëpo, pika e parafundit e këtij plani, pika e 10-të, në përmbajtjen e saj e përfshinë edhe marrëveshjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese” – thuhet në pikën 10-të të këtij propozimi.