SHBA mbështet heqjen dorë nga pronësia intelektuale e vaksinave

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se mbështesin një inciativë të Organizatës Botërore të Tregtisë për të hequr mbrojtjen ndaj pronës intelektuale për vaksinat kundër koronavirusit.

India dhe Afrika Jugore kanë bërë fillimisht këtë propozim, duke besuar se përmes tij do të mund të rritej prodhimi i vaksinave në gjithë botën.

Mirëpo prodhuesit e vaksinave kanë thënë se një vendim i tillë mund të mos japë rezultatin e duhur.

Përfaqësuesja amerikane për Tregti Katherine Tai ka thënë se “kohërat e jashtëzakonshme kërkojnë masa të jashtëzakonshme”.

Ajo ka paralajmëruar se anëtarëve të Organizatës Botërore të Tregtisë do t’iu marrë kohë që të arrijnë pajtueshmëri për këtë çështje.

India dhe Afrika Jugore kanë ngritur më së shumti zërin për këtë gjë, në mesin e 60 shteteve, të cilat përgjatë gjashtë muajve të fundit kanë tentuar të marrin patentën për vaksina.

Në fillim, ky propozim është kundërshtuar ashpër nga administrata e kaluar amerikane e Donad Trumpit, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian.

Mirëpo pasardhësi i Trumpit, presidenti amerikan Joe Biden ka ndjekur rrugë tjetër.

Ai ka përkrahur vendimin për pezullim të patentave në fushatën presidenciale të vitit 2020 dhe ka përsëritur një gjë të tillë të mërkurën.

Udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus, e ka quajtur këtë deklaratë “moment të rëndësishëm”, në luftën kundër COVID-19, sëmundja që shkakton koronavirusi.

Çfarë nënkupton heqja e patentës?

Mbështetësit thonë, se nëse arrihet pajtueshmëri për heqje të patentave, atëherë prodhimi i vaksinave do të rritet dhe do të ketë më shumë doza për shtetet më pak të pasura.

Shumë shtete në zhvillim kanë thënë se rregullat që kërkojnë shtetet e fuqishme për të mbrojtur patentat dhe forma tjera të pronës intelektuale përbëjnë pengesë për rritje të prodhimit të vaksinave dhe produkteve tjera të nevojshme për luftim të pandemisë.

Cilat kanë qenë reagimet?

Udhëheqësi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, e ka quajtur vendimin e SHBA-së “historik”, në luftën kundër COVID-19.

Mirëpo kompanitë farmaceutike kanë kundërshtuar këtë gjë, duke insistuar se pantentat nuk përbëjnë pengesë kryesore dhe kanë paralajmëruar se një hap i tillë mund ta dëmtojë inovacionin.

Federata Ndërkombëtare e Prodhuesve Farmaceutikë e ka quajtur vendimin e SHBA-së “zhgënjyes”.

“Heqja e patentës është përgjigje e gabuar në një problem të tillë kompeks”, ka thënë grupi me bazë në Gjenevë.

Mjeku Amesh Adalja nga Qendra për Siguri Shëndetësore në Johns Hopins, ka thënë për agjencinë e lajmeve Reuteres se heqja e pantentës është e njëjtë me “shpronësim të pronës së kompanive farmaceutike, inovacioni dhe investimet financiare të të cilave kanë bërë të mundur krijimin e vaksinave COVID-19 në radhë të parë “.

A ka shembull paraprak për këtë gjë?

Dy dekada më parë, Mozambiku, Zambia dhe Zimbabveja kanë lëshuar licenca të detyrueshme për ilaçet për HIV/AIDS, të përcjella nga Indonezia, Malajiza dhe Brazili, çka ka nënkuptuar se qeveritë kanë pasur mundësi të pezullojnë të drejtat e pronës intelektuale pa lejen e pronarit.

Ky vendim, që është marrë pas diskutimeve të dështuara me kompanitë farmaceutike, ka ndikuar në ulje të çmimit të ilaçeve për AIDS dhe ka rritur qasjen në to.

Përkrahës të kësaj ideje në Afrikë të Jugut dhe Indi shpresojnë që një vendim i njëjtë tani mund të ndikojë në rritje të përgjigjes kundër koronavirusit në vendet e neglizhuara. REL