SHBA: Kosova po rrezikon mundësitë që ne e kemi ndihmuar të krijojë
Edhe një herë SHBA-ja ka ripërsëritur se autoritetet e Kosovës me vendimet e tyre të pakoordinuara po rrezikojnë mundësitë që SHBA i ka ndihmuar Kosovës që të krijojë.
Një gjë e tillë u tha nga zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, gjatë një konference për media në mbrëmjen e së mërkurës, 07.08.2024.
Në lidhje me këtë çështje, një gazetare e pyeti Miller “se sa vija të kuqe në veri të Kosovës mund të vazhdojë të shkelë pa asnjë pasojë kryeministri Kurti”.
Miller tha se nuk do të spekulojë për veprime në të ardhmen, por se ajo çka mund të thotë është se “jemi të shqetësuar nga vazhdimi i vendimeve të pakoordinuara nga lidershipi i Kosovës”.
“Ne besojmë se ata i vënë në rrezik mundësitë që ne e kemi ndihmuar Kosovën të krijojë. Nëse shikoni historinë që nga pavarësia e Kosovës, Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur fuqishëm integrimin e tyre të plotë në bashkësinë ndërkombëtare si një demokraci sovrane multietnike, por për të realizuar këtë vizion, që është një vizion që ne ndajmë, ne kemi bashkëpunuar me politikën e njëpasnjëshme të Kosovës”- ka thënë Miller.
Në emër të SHBA-së, Miller inkurajoi Qeverinë e Kosovës të bëjë është që t’i kthehet angazhimit të ngushtë dhe konstruktiv me Shtetet e Bashkuara, me BE-në, me NATO-n dhe partnerët e tjerë të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës.
“Dhe ne e kemi bërë të qartë këtë – siç po e bëj të qartë publikisht, ne ia kemi bërë të qartë këtë privatisht edhe qeverisë”- tha Miller.
Këto qëndrime, Miller tha se ia kanë shprehur edhe privatisht Qeverisë së Kosovës.
Nëntë objektet ku vepronte Posta e Serbisë në veri të Kosovës janë mbyllur më 05.08.2024.
Policia tha se ky aksion bazohet në informacionet zyrtare të institucioneve të Kosovës, siç është ARKEP, mbi dyshimin se janë duke operuar posta ilegale, të paregjistruara dhe pa licencë të institucioneve përkatëse të Republikës së Kosovës.
Këto pika postare, sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, vepronin në mënyrë ilegale në katër komunat e veriut të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, ka thënë se aksioni i autoriteteve kosovare si rezultat i së cilës u mbyllën nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri, çon në tensione të reja.
Ashtu siç u tha në reagimin e mbrëmshëm nga BE-ja, Stano ripërsëriti që po shohin më shumë veprime të pakoordinuara dhe të njëanshme nga qeveria e Kosovës.
“Tani po shohim më shumë hapa të njëanshëm, veprime të pakoordinuara. Ky nuk është shtensionim, kjo çon në tensione të reja. Një gjë e tillë duhet të kuptohet mirë nga ata që marrin vendime në Prishtinë” – tha Stano në një konferencë për media më 06.08.2024.
Sipas Stanos, Kosova e Serbia, kanë arritur një marrëveshje në vitin 2013 për telekomunikim.
Ndër të tjera, Stano tha që me këtë veprim që ka bërë Qeveria e Kosovës më 05.08.2024, do të ketë pasoja për qytetarët në veri të Kosovës.
Ai ripërsëriti që këto veprime janë shkelje e marrëveshjes së dialogut.
BE i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë vendimin e saj dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të lehtësuar nga BE-ja.
Edhe SHBA i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërpresë çdo veprim të mëtejshëm të njëanshëm dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.