Logo; Ambasada e SHBA-së në Kosovë

SHBA kërkon progres real në dialogun Kosovë - Serbi

I ngarkuari me punë në Ambasadën Amerikane në Kosovë, Nicholas Giacobbe, ka përkrahur të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, i cili është deklaruar se ka ardhur koha për përparim të vërtetë në dialog.

“I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Lajçak ka të drejtë, është koha për progres real në dialogun Kosovë – Serbi. Bëjeni…”, ka shkruar Giacobbe në twitter.

Dje pas takimeve në nivel kryenegociatorësh, Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, kishte deklaruar së është koha për përparim të vërtetë në procesin e dialogut.

“Sot prita dy kryenegociatorët dhe delegacionet e tyre për takime të veçanta për çështjet e pazgjidhura dhe rrugën përpara në dialog. Unë gjithashtu i informova ata për Këshillin e Punëve të Jashtme [Këshilli i BE] dhe përsërita pritshmëritë e shteteve anëtare. Është koha për përparim të vërtetë”, ka shkruar ai në Twitter.

Në Bruksel, delegacioni i Kosovës udhëhiqet nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ndërsa ai i Serbisë nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq.

Serbia insiston se zbatimi i Marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të jetë prioritet në procesin e dialogut, ndërsa për Kosovën prioritet është çështja e të pagjeturve.

Ditë më parë, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, ka thënë se pret që para fundit të vitit të mbahet një takim i ri ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur në vitin 2011, me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së. Synim i tij është normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes dy shteteve.

Lajçak flet për takimin e sotëm Kosovë-Serbi në nivel kryenegociatorësh