SHBA: Ka përparim, por negociatat për targat vazhdojnë

Shtetet e Bashkuara thonë se është bërë përparim në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për çështjen e targave, por negociatat ende vazhdojnë.

“Ne inkurajojmë Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë të angazhohen hapur dhe seriozisht”, thuhet në një postim në rrjetin Twitter të të ngarkuarit me punë në Ambasadën Amerikane në Kosovë, Nicholas Giacobbe.

Ai në postimin e tij i bëri jehonë edhe njoftimit të zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano i cili më herët konfirmoi se negociatat janë duke vazhduar.

Njoftimi i Stanos u bë pak kohë pasi zëvëndëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, që njëherësh është edhe shef i delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, tha se është arritur një draft me disa pika që do të mundësojnë zgjidhjen e përkohshme të situatës në veri, mirëpo që, sipas tij, dokumenti ende pret miratimin e Beogradit.

“Kemi arritur te një draft përfundimtar i cili është dakorduar pothuajse në tërësi ka mbetur që vetëm që pala serbe të jap dakordimin final, nëse po, mund të fillojë zbatimi i marrëveshjes shumë shpejt”, tha Bislimi./REL

Bislimi: Shpresojmë që delegacioni i Serbisë do të bindet për tekstin e marrëveshjes pa asnjë ndryshim

www.kallxo.com