Getty Images

ShBA urdhëron familjet e stafit të ambasadës të largohen nga Ukraina

SHBA-ja i ka urdhëruar të afërmit e stafit të ambasadës së saj në Ukrainë që të largohen nga Ukraina, pasi wshtw rritur frika nga një pushtim rus.

Stafit jo esencial të ambasadës u është thënë gjithashtu se mund të largohen dhe qytetarëve amerikanë u është kërkuar ta bëjnë të njëjtën gjë.

Departamenti i Shtetit tha se ambasada mbetet e hapur, por se një pushtim rus mund të vijë “në çdo kohë”.

Rusia ka mohuar të ketë ndonjë plan për veprim ushtarak në Ukrainë.

Departamenti i Shtetit paralajmëroi gjithashtu njerëzit që të mos udhëtojnë në Ukrainë dhe Rusi për shkak të tensionit të vazhdueshëm dhe “potencialit për ngacmim ndaj qytetarëve amerikanë”.

“Ka raportime se Rusia po planifikon një veprim të rëndësishëm ushtarak kundër Ukrainës,” tha një këshilltar nga Departamenti i Shtetit.

Një zyrtar i Departamentit të Shtetit i tha agjencisë së lajmeve AFP, se në rast se do të ndodhte një pushtim rus, qeveria amerikane “nuk do të jetë në gjendje të evakuojë qytetarët amerikanë në një rast të tillë”.

Ky vendim i SHBA-së është pjesë e një sërë masash paraprake që Departamenti i Shtetit i përdor kur krizat mund t’i vënë në rrezik diplomatët amerikanë, raporton Barbara Plett Usher e BBC-së.

Mendohet se asgjë specifike gjatë 24 orëve të fundit nuk e ka shkaktuar vendimin në fjalë.

Udhëheqësi i aleancës mbrojtëse ushtarake të NATO-s ka paralajmëruar se ekziston rreziku i një konflikti të ri në Evropë pasi rreth 100,000 trupa ruse u grumbulluan në kufi.

Të shtunën, rreth 90 ton “ndihmë vdekjeprurëse” amerikane duke përfshirë municione për “mbrojtësit e vijës së parë” mbërritën në Ukrainë./BBC