Baza e trupave amerikane në Manbixh, Siri.

SHBA-ja sulmon një lider të Shtetit Islamik në veri të Sirisë

Ushtria amerikane tha se ka kryer një sulm ajror kundër një udhëheqësi të lartë të grupit militant, Shteti Islamik, në Sirinë veriore.

“Sulmi ka rezultuar me vrasjen e mundshme të individit të shënjestruar”, tha përmes një deklarate Komanda Qendrore e SHBA-së.

Sipas saj, dy persona të armatosur u vranë në operacion.

Në deklaratë, po ashtu, thuhet se trupat amerikane apo civilët në terren nuk kanë pësuar.

Kreu i Vëzhguesit Sirian për të Drejtat e Njeriut, Rami Abdel Rahman, konfirmoi për DPA-në se tre persona janë vrarë – dy në vendin ku ka ndodhur operacioni dhe një në periferi të një fshati.

Vëzhguesi tha se sulmi ka ndodhur në fshatin Jarabulus, në lindje të Alepos.

Sipas Abdel Rahmanit, militanti që u shënjestrua, quhej “Abu Al-Baraa”.

Sipas disa raporteve, ai ka qenë përgjegjës për planifikimin e disa sulmeve në Lindjen e Mesme dhe në Evropë.

Më 12 prill, Komanda Qendrore e SHBA-së njoftoi se ka kapur një operativ të milicisë terroriste të Shtetit Islamik dhe dy bashkëpunëtorë të tij në Sirinë lindore.

Forcat amerikane janë vendosur në Siri qysh në vitin 2015, për t’i ndihmuar kurdët sirianë dhe aleatët e tyre në luftën kundër Shtetit Islamik. Rel