HIMARS duke lëshuar një raketë nga një poligon në Kaliforni në vitin 2017.

SHBA-ja pritet të dërgojë në Ukrainë më shumë HIMARS dhe armë të tjera

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, pritet që në pakon e re të ndihmës së sigurisë për Ukrainën të përfshijë katër sisteme raketore me lëvizshmëri të lartë (HIMARS), raketahedhës, municion, mina dhe makina të blinduara.

Kështu i thanë Reuters dy burime që kanë njohuri për paketën e re të ndihmës që pritet të jetë në vlerë prej 625 milionë dollarësh.

Njoftimi për paketën e re të ndihmës pritet të bëhet të martën dhe kjo do të jetë ndihma e parë amerikane për Ukrainën, qëkur Rusia pretendoi se ka aneksuar katër rajone ukrainase.

Rusia këtë njoftim e bëri pas mbajtjes së referendumeve të rreme në rajonet e Donjeckut, Luhanskut, Zaporizhjës dhe Hersonit, që janë pjesërisht të pushtuara nga forcat ruse.

Sistemet HIMARS dhe raketat përcjellëse, por edhe armët e tjera mund të dërgohen në Ukrainë në ditët në vijim.

Paketa e re e ndihmës është në kuadër të Autoritetit për Tërheqje Presidenciale, që i lejon SHBA-së të transferojë armë dhe mjete ushtarake nga stoqet e ushtrisë së saj dhe nuk kërkohet miratimi i Kongresit për një gjë të tillë.

Javën e kaluar, SHBA-ja njoftoi për një pako të armëve për Ukrainën në vlerë prej 1.1 miliard dollarësh, ku përfshiheshin 18 HIMARS dhe armë të tjera, përfshirë edhe sisteme radarësh dhe sisteme kundër dronëve. Por, kjo pako ishte në kuadër të Nismës për Asistencë të Sigurisë për Ukrainën, që nënkupton se Qeveria amerikane merr armët – që janë të destinuara për Ukrainën – nga kompanitë prodhuese të armëve dhe jo nga stoqet e ushtrisë.

Deri më tani, në Ukrainë janë dërguar 16 HIMARS të SHBA-së. Me pakon e re, ndihma që Uashingtoni ka ofruar për Kievin qëkur ka nisur pushtimi rus i Ukrainës, arrin në vlerën mbi 16.8 miliardë dollarë./REL