Ilustrim

SHBA-ja mbetet eksportuesja më e madhe e armëve në botë

Shtetet e Bashkuara mbesin vendi i parë furnizues me armë në botë, thotë një institut hulumtues me bazë në Suedi.

Në një raport të botuar në 9 Mars, Instituti Ndërkombëtar i Kërkimit të Paqes në Stokholm (SIPRI) tha se vëllimet globale të transferimeve të armëve u rritën me gati 6 për qind në periudhën 2015-2019, krahasuar me 2010-2014.

Eksportet e armëve nga Shtetet e Bashkuara u rritën me 23 për qind gjatë periudhës së fundit, duke e rritur pjesën e saj të eksporteve të përgjithshme në 36 për qind.

Rusia ishte eksportuesi i dytë më i madh në botë, me 21 për qind të furnizimeve globale të armëve, por eksportet ruse ishin 18 përqind më të ulëta se në vitet 2010–2014.

“Rusia ka humbur tregun në Indi – blerësi kryesor afatgjatë i armëve ruse”, gjë që ka çuar në një ulje të eksporteve të armëve”, tha përfaqësuesja e SIPRI-s, Alexandra Kuimova.

“Kjo rënie nuk u kompensua nga rritja e eksporteve ruse të armëve në Egjipt dhe Irak në vitet 2015-19”, shtoi ajo.

Franca ishte eksportuesi i tretë më i madh, i ndjekur nga Gjermania dhe Kina.

Arabia Saudite mbeti importuesi më i lartë në botë i armëve në 2015-2019, me 12 për qind të totalit global. /REL