SHBA-ja kujton viktimat e 11 Shtatorit – ndihet edhe fryma e debateve zgjedhore

Shtetet e Bashkuara kanë kujtuar jetët e humbura dhe ato të riformësuara nga 11 shtatori, duke shënuar një përvjetor të lidhur ngushtësisht sivjet me politikat e fushatës presidenciale, shkruan AP.

11 shtatori – data kur sulmet me avionë të rrëmbyer lanë të vdekur afro 3.000 njerëz në vitin 2001 – kujtohet sivjet në kulmin e fushatës së zgjedhjeve presidenciale, që mbahen  çdo katër vjet, dhe sivjet përvjetori rastis me një fushatë fort të acaruar.

Pas debatit të tyre të parë të martën mbrëma, zëvendëspresidentja Kamala Harris dhe ish-presidenti Donald Trump pritet të marrin pjesë në ceremonitë e 11 shtatorit në Qendrën Botërore të Tregtisë në New York dhe në Memorialin Kombëtar të Fluturimit 93 në Pensilvani.

Senatorët e atëhershëm dhe rivalët e fushatës presidenciale, John McCain dhe Barack Obama, bënë një përpjekje të dukshme për të lënë mënjanë politikën në përvjetorin e 2008-s. Ata vizituan pikën zero së bashku për të bërë nderimet e tyre dhe për të vendosur lule në një pellg reflektues në atë që atëherë ishte ende gropë.

Nuk është ende e qartë nëse Harris dhe Trump madje do të takohen kalimthi në vendin e ngjarjes. Nëse e bëjnë këtë, do të ishte një takim i jashtëzakonshëm në një ceremoni të zymtë disa orë pasi u përballën në skenën e debatit.

Pavarësisht nga kalendari i fushatës, organizatorët e ceremonive të përvjetorit kanë kohë që janë përpjekur të mbajnë fokusin te viktimat. Për vite të tëra, politikanët kanë qenë vetëm vëzhgues në festimet në pikën zero, me mikrofonin që përcillet te të afërmit që lexojnë me zë të lartë emrat e viktimave.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com