SHBA-ja kërkon të ndalohet cisterna e Iranit në Gjibraltar

Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, ka bërë një kërkesë, për të ndaluar transportuesin e naftës Grace 1, e cila do të vlerësohet nga prokurori i përgjithshëm i Gjibraltarit.

Anija që mbante naftë iraniane, u kap nga marinsat britanikë dhe autoritetet e Gjibraltarit më 4 korrik – duke shkaktuar tensione me Teheranin.

Transportuesi, ishte paraparë të lirohej të enjten, por pas kërkesës së SHBA-së, çështja është shtyrë, dhe ende nuk dihet cili do të jetë vendimi i mëtutjeshëm i prokurorit të Gjibraltarit.

Autoritetet thanë se kërkesa e SHBA-së bazohet në një “numër akuzash të cilat tani janë duke u shqyrtuar”.

Cisterna u konfiskua për shkak të dyshimeve se po dërgonte naftë iraniane në Siri, duke shkelur kështu sanksionet e BE-së.

Rreth 30 marinsa britanikë shkuan në Gjibraltar për të ndihmuar policinë të kapte cisternën dhe ngarkesën e saj, me kërkesën e qeverisë së Gjibraltarit.

Konfiskimi i cisternës nxiti një krizë diplomatike midis Britanisë së Madhe dhe Iranit, e cila është përshkallëzuar gjatë javëve të fundit.