Foto: Israel Defense Forces / fFacebook
SHBA-ja heton “rrjedhjen” e planit izraelit për ta sulmuar Iranin
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke hetuar publikimin e dokumenteve të klasifikuara që përshkruanin vlerësimin amerikan për planet izraelite për ta sulmuar Iranin, ka konfirmuar Mike Johnson, kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve, ka raportuar BBC më 21.10.2024.
Dokumentet raportohet se ishin publikuar online gjatë javës së kaluar dhe thuhet se përshkruanin imazhet satelitore që tregonin lëvizjet e aseteve ushtarake izraelite në përgatitje për kundërpërgjigje ndaj Iranit pas sulmit të 1 tetorit mbi Izraelin.
Dokumentet, të klasifikuara si top-sekrete, ishin shpërndarë brenda Pesë Syve, aleancë e inteligjencës e SHBA-së, Britanisë, Kanadasë, Zelandës së Re dhe Australisë, ka raportuar partneri i BBC-së për SHBA, CBS.
Për javë të tëra, Izraeli ishte duke ndarë mendjen se si dhe kur do t’i kundërvihej sulmit të fundit raketor të Iranit, teksa ministri izraelit i Mbrojtjes kishte paralajmëruar se sulmi do të ishte “vdekjeprurës, i saktë dhe i befasishëm”.
Dy dokumentet raportohet se ishin autorësi e dy agjencive të rëndësishme amerikane të sigurisë dhe studimeve hapësinore dhe ishin publikuar të premten e javës së kaluar në një llogari “Telegrami” të lidhur me Iranin.
Johnson, anëtari më i lartë i Kongresit amerikan, ka thënë për CNN-në të dielën se “rrjedhja e informacionit është shumë shqetësuese”.
“Ka disa dyshime serioze që janë ngritur, ka një hetim që po kryhet, dhe brenda pak orësh do të informohen për këtë”, ka deklaruar kongresisti republikan nga Louisiana.
Pentagoni ka konfirmuar në një deklaratë se ishte njoftuar për rrjedhjen e dokumenteve, por nuk ka komentuar më shumë.
Agjencitë e përfshira amerikane, por edhe Qeveria izraelite nuk kanë dashur të komentojnë raportet.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com