Lisa Montgomery, Foto: Reuters

ShBA-ja ekzekuton gruan e parë të dënuar me vdekje që nga viti 1953

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë bërë ekzekutimin e parë të një gruaje, e cila ka qenë e dënuar me vdekje.

Lisa Montgomery e vetmja e burgosur grua në dënimin federal me vdekje në ShBA është ekzekutuar përmes një injeksioni vdekjeprurës në një burg në shtetin e Indianas, raporton BBC.

Çështja tërhoqi vëmendjen sepse avokatët e saj argumentuan se ajo vuante nga sëmundje mendore dhe pësoi abuzim serioz si fëmijë.

52-vjeçarja ishte dënuar për rrëmbim dhe mbytjen e një gruaje shtatzënë, në Misuri në vitin 2004.

Montgomery është gruaja e parë e dënuar me vdekje nga qeveria amerikane në 67 vjet.

Sipas dëshmitarëve, një grua që qëndronte pranë Montgomery gjatë procesit të ekzekutimit, hoqi maskën e fytyrës së të burgosurës dhe e pyeti nëse kishte ndonjë fjalë të fundit. Montgomery u përgjigj “jo” dhe nuk tha asgjë tjetër.

Avokati i Montgomery, Kelley Henry, tha se të gjithë ata që kishin marrë pjesë në ekzekutim “duhet të ndiejnë turp”./BBC

Përgatiti: Emirjeta Vllahiu