Ilustrim: Gaza, Foto: UNRWA/facebook

SHBA-ja e paralajmëron Izraelin që të mos ketë “politikë urie” në Gazë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po monitorojnë aksionet e Izraelit në Gazën veriore për t’u siguruar se shteti hebraik nuk po zbaton “politikë urie”, ka raportuar televizioni britanik, BBC.

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara ka bërë të ditur se “Qeveria izraelite ka thënë se kjo nuk është politikë e tyre… dhe ne do të jemi këtu për të parë nëse veprimet e Izraelit në terren përkojnë me këtë deklaratë”.

Është shenjë e fundit e ashpërsimit të retorikës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundrejt aleatit të kamotshëm – Shtëpia e Bardhë kërcënoi ditë më parë me ndaljen e ndihmës ushtarake për Izraelin nëse nuk i respekton premtimet e dhëna para aleatëve të tij, raporton BBC.

Izraeli thotë se kamionët e tij po kalojnë në territorin palestinez, porse shkurtimet ushqimore po shkaktohen prej “Hamasit” që po plaçkit kamionët, pretendon Izraeli. Ndërkohë Kombet e Bashkuara kanë alarmuar se gjendja në terren është “dëshpëruese”.

Ndërkohë Izraeli ka njoftuar se ka kryer sulme të tjera ajrore në Libanin lindor, me shtatë bombardime të kryera brenda dhjetë minutash.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com