SHBA-ja e njeh si president rivalin e Maduros
Është rritur presioni ndaj komisionit venezuelas të zgjedhjeve që të ofrojë dëshmi për ta mbështetur vendimin për ta shpallur presidenti Nicolas Maduro fitues të zgjedhjeve të shtetit latin pasi Shtetet e Bashkuara vendosën të enjten ta njihnin kandidatin opozitar, Edmundo Gonzalez, si fitues, duke diskredituar rezultatet zyrtare të zgjedhjeve të fundjavës.
Qëndrimi amerikan ka ardhur pas thirrjeve prej shumë qeverive, përfshirë prej atyre të aleatëve të ngushtë të Maduros, që Këshilli Kombëtar i Zgjedhjeve të publikojë të dhëna të hollësishme për votimin, sikur se kishte bërë në zgjedhjet e mëhershme, shkruan agjencia amerikane e lajmeve, AP.
Mekanizmi zgjedhor e shpalli fitues Maduron të hënën, por koalicioni kryesor opozitar shpalosi disa orë më vonë dëshmi se rezultati ishte ndryshe në më shumë se në të dy të tretat e fletëvotimeve të secilës makinë elektronike të votimit.
“Duke pasur parasysh dëshmitë e bollshme, është e qartë për Shtetet e Bashkuara dhe më e rëndësishmja, për popullin e Venezuelës, se Edmundo Gonzalez fitoi shumicën e votave në zgjedhjet presidenciale të Venezuelës më 28 korrik”, ka deklaruar sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Maduro ka reaguar menjëherë, duke theksuar se “Shtetet e Bashkuara duhet ta mbajnë hundër jashtë Venezuelës!”.
Qëndrimi amerikan ka ardhur pas përpjekjeve të shumta diplomatike për ta bindur Maduron për t’i publikuar të dhënat e hollësishme të zgjedhjeve, por njëherësh janë shtuar edhe thirrjet për rishikim të pavarur të rezultateve, kanë thënë zyrtarët nga Brazili dhe Meksika.
Zyrtarë qeveritarë nga Brazili, Kolumbia dhe Meksika janë në kontakte të përhershme me administratën e Maduros për ta bindur që të publikojë fletëvotimet e zgjedhjeve të së dielës dhe të lejojë një proces të gjithmbarshëm verifikimi, ka thënë një zyrtar i lartë brazilian për AP-në. Ai ka thënë se po mundohen ta bindin Maduron se vetëm publikimi i të dhënave mund të heqë qafe dyshimet e mundshme. Më herët, presidenti meksikan, Andres Manuel Lopez Obrador, ka thënë se planifikon të flasë me presidentin brazilian, Luiz Inacio Lula da Silva, dhe me atë të Kolumbisë, Gustavo Petro.
Më vonë gjatë të enjtes pasdite, sipas kohës lokale, Brazili, Kolumbia dhe Meksika kanë lëshuar një komunikatë të përbashkët duke i bërë thirrje komisionit venezuelas të zgjedhjeve që t’i publikojë të dhënat e procesit.
“Parimi themelor i sovranitetin popullor duhet të respektohet nëpërmjet verifikimit të gjithmbarshëm të rezultateve”, thuhet në komunikatë./AP
Përgatiti: Rexhep Maloku – KALLXO.com