Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, foto: BBC/Video

SHBA-ja e nis një nëndetëse drejt Lindjes së Mesme në kohën kur po ngrihen tensionet në rajon

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur një nëndetëse me raketa të komanduara drejt Lindjes së Mesme në kohën kur po ngrihen tensionet në rajon, raporton BBC.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ka thënë gjithashtu se një anije transportues e fluturakeve është gati që të marrë udhë drejt rajonit, duke lundruar sa më shpejt që është e mundshme.

Lëvizjet vijnë si kundërpërgjigje ndaj frikës së një konflikti më të gjerë rajonal pas vrasjes së fundit të liderëve të njohur të lartë të “Hezbollahut” dhe “Hamasit”.

Irani po monitorohet për së afërmi për ndonjë indikacion se si dhe kur mund të kundërpërgjigjet pas vrasjes së liderit politik të “Hamasit”, Ismail Haniyeh, më 31 korrik në Teheran.

Iranianët fajësuan Izraelin për vrasjen e Hanihey në tokën e tyre dhe janë zotuar se do të hakmerren. Izraeli ende nuk e ka komentuar, por besohet gjerësisht se qëndronte prapa sulmit.

Në një deklaratë të dielën, Pentagoni ka thënë se Austin do ta nisë nëndetësen e “USS Georgia” me raketa të komanduara drejt rajonit.

E ka urdhëruar edhe grupin e luftanijes sulmuese “USS Abraham Lincoln”, që ka edhe bombardues F-35C, që ta vazhdojë udhëtimin atje. Luftanija ishte rrugës për të zëvendësuar një tjetër luftanije amerikane në rajon.

Mbetet ende e paqartë se çfarë planifikon të ndërmarrë Irani. Njëherësh një tjetër sulm do të mund të vinte kundër Izraelit nga “Hezbollahu”, milicia libaneze me përkrahje politike dhe ushtarake nga Irani në Liban.

Grupi është zotuar për kundërpërgjigje pas vrasjes nga Izraeli të komandantit të lartë, Fuad Shukr, pak orë para vrasjes së Haniyeh, në një lagje në periferi të Bejrutit.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com