Ilustrim - Gaza

SHBA-ja e frustruar me sulmin izraelit që la 18 të vdekur në Gazë

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara ka akuzuar të hënën (16.07.2024) – sipas kohës lokale amerikane – ushtrinë izraelite për sulmet ajrore kundër shkollave, punëtorëve të ndihmave humanitare dhe civilëve në Gazë, duke treguar shenja të frustrimit amerikan në ngritje me aleatin e tyre të ngushtë në kohën kur lufta po i afrohet njëvjetorit, raporton AP.

Izraeli vazhdimisht ka thënë se po synon militantët e “Hamasit”, të cilët shpesh fshihen në mesin e civilëve dhe i përdorin si mburoja njerëzore, në hakmarrje ndaj sulmeve të 7 tetorit në Izraelin jugor, ku u vranë 1.200 persona. Izraeli pastaj ndërmori fushatën ushtarake që u përshkallëzua në luftë në Gazë.

Ambasadorja amerikan, Linda Thomas-Greenfield, ishte jashtëzakonisht e zëshme kundër ushtrisë izraelite në takimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke theksuar se shumë bombardime të javëve të fundit kanë lënduar ose vrarë personel të OKB-së dhe punëtorë të organizatave humanitare, që sipas jashtë, mund të ishin të shmangshme.

Shumë anëtarë të Këshillit të Sigurimit kanë përmendur sulmin e javës së kaluar të Izraelit mbi një shkollë të kthyer në strehimore, të drejtuar nga agjencia e OKB-së që po ndihmon refugjatët palestinezë, e njohur si UNRWA, ku personeli i saj ishin në mesin e tetëmbëdhjetë personave të mbetur të vdekur, përfshirë edhe gra dhe fëmijë.

Izraeli ka thënë se kishte cak një qendër të komandës dhe kontrollit të “Hamasit”, dhe ambasadori izraelit në OKB ka ngulmuar të hënën se militantët e “Hamasit” u vranë në sulm. Danny Danon i ka përmendur me emra katër prej tyre, duke theksuar se ata ditën punonin për UNRWA-n e natën ishin pjesë e “Hamasit”.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka bërë thirrje për hetim të pavarur.

Ambasadorja amerikane ka thënë se SHBA-ja do të angazhohet për të bindur Izraelin për nevojën e lehtësimit të ndihmave humanitare në territorin palestinez. Ajo ka shprehur “zemërimin” edhe për vdekjen e aktivistes turko-amerikane, Aysenur Eygi, e cila u qëllua për vdekje gjatë një proteste javën e kaluar në Bregun Perëndimor. Ushtria izraelite ka thënë se mbase e kishte vrarë gabimisht Eygin, derisa qeveria izraelite ka nisur një hetim.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com