Ilustrim

SHBA-ja dhe Kina zotohen për bashkëpunim në fushën e ndryshimeve klimatike

Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë pajtuar se rritja e zotimeve për të luftuar ndryshimet klimatike duhet të jetë në linjë me Marrëveshjen e Parisit për Klimën, është thënë në një deklaratë të përbashkët, pasi i dërguari amerikan për klimën John Kerry ka vizituar Shangain.

“Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë të përkushtuara që të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën dhe me shtetet tjera, për të luftuar krizën klimatike, e cila duhet të trajtohet me seriozitetin dhe urgjencën që kërkon”, është thënë në deklaratën e përbashkët.

Në deklaratë janë renditur disa fusha në të cilat SHBA-ja dhe Kina mund të bashkëpunojnë, përfshirë Marrëveshjen e Parisit për Klimën, të arritur më 2015.

Kerry ka ndihmuar në negocim të Marrëveshjes në Paris kur ka qenë në pozitën e Sekretarit amerikan të Shtetit.

SHBA-ja është tërhequr nga marrëveshja gjatë administratës së ish-presidentit Donald Trump, mirëpo presidenti amerikan Joe Biden e ka kthyer mbrapsht atë vendim, pak pasi ka marrë pozitën në muajin janar.

Shtetet e Bashkuara dhe Kina do të punojnë në strategji afatgjate të zhvillimit, që synojnë neutralitetin e karbonit dhe maksimizimin e investimeve ndërkombëtare në mbështetje të kalimit në energji të ripërtrishme në vendet në zhvillim”, është thënë në deklaratë.

Këto dy vende janë përgjegjëse për gati gjysmën e emetimeve të gazrave serrë në botë.

Të dyja shtetet, dhe emetuesit tjerë të mëdhenj, janë duke u përgatitur për një Samit të Kombeve të Bashkuara për Klimën, që do të mbahen në Skoci, në muajin nëntor.

Samiti synon të rikthejë përpjekjet globale për të mbajtur temperaturën mesatare globale nën 2 gradë Celsius, siç parashihet në Marrëveshjen e Parisit./REL