Kabul, 12 maj, 2020.

SHBA-ja dënon sulmin në maternitetin e Kabulit

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, e dënoi ashpër sulmin e militantëve në një maternitet në Kabul të Afganistanit.

Dy foshnja dhe 12 nëna dhe inferimiere u vranë, kur personat e armatosur sulmuan spitalin të martën në mëngjes.

“Çdo sulm mbi të pafajshmit është i pafalshëm, por të sulmosh foshnjat dhe nënat në lindje, është një veprim i lig”, tha Pompeo.

Ai e dënoi edhe një sulm tjetër në një funeral në provincën Nangarhar, ku mbetën të vrarë së paku 26 njerëz.

“Terroristët që sulmojnë njerëzit në funeral, duan t’i shkëpusin lidhjet midis familjeve dhe komuniteteve, por ata nuk do t’ia dalin”, tha Pompeo.

“Gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit dhe në mes të kërcënimit nga koronavirusi, këto sulme janë veçanërisht të tmerrshme”, tha diplomati amerikan.

Pas sulmeve, presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, tha se do urdhërojë rifillimin e operacioneve kundër talibanëve dhe grupeve të tjera militante.

Nuk është ende e qartë se kush e ka kryer sulmin në maternitet, ndërsa përgjegjësinë për sulmin në funeral e kanë marrë militantët e Shtetit Islamik./REL