Washington

SHBA-ja akuzon Rusinë për një incident me satelitë në hapësirë

Forca Hapësinore amerikane, e krijuar rishtazi, e ka akuzuar Rusinë se ka përdorur satelitët e saj për të ndjekur një satelit spiunazhi amerikan, duke e quajtur këtë “sjellje shqetësuese”.

Gjenerali John Raymond, shefi i operacioneve hapësinore, i tha revistës “Time” më 10 shkurt, se të dy satelitët rusë janë afruar jashtëzakonisht afër, brenda 160 kilometrave nga sateliti amerikan.

“Ne e shohim këtë sjellje si të pazakontë dhe shqetësuese. Ka potencial për të krijuar një situatë të rrezikshme në hapësirë “, tha Raymond.

Zëvendës-ministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, konfirmoi për AFP-në se ai kishte marrë një mesazh nga Uashingtoni në lidhje me situatën, duke shtuar se “Moska do të përgjigjet pasi ta studiojë”.

Ai i quajti manovrat e tilla në hapësirë praktikë të zakonshme “nga shumë vende”, raportojnë agjencitë ruse të lajmeve.

Kjo është hera e parë që ushtria amerikane ka zbuluar publikisht një kërcënim nga një vend tjetër, për një prej anijeve hapësinore të saj.

Forca Hapësinore amerikane u krijua në dhjetor 2019 dhe është dega e gjashtë zyrtare e ushtrisë amerikane, së bashku me ushtrinë, forcën ajrore, forcat detare, marinsat dhe rojet bregdetare.

Në propozimin e tij për buxhetin e vitit 2021, presidenti amerikan, Donald Trump, caktoi 15.4 miliardë dollarë për Forcën e re Hapësinore. /REL