SHBA, ish-pronarja e një kompanie funeralesh dënohet me 20 vjet burg për shitjen e pjesëve të trupit të të vdekurve

Ish-pronarja e një kompanie funeralesh në Kolorado u dënua me 20 vjet burg të martën për mashtrim të të afërmve të të vdekurve pasi akuzohej se ka prerë 560 kufoma dhe ka shitur pjesë të trupit pa leje, raporton Reuters.

Megan Hess, 46-vjeçe, u deklarua fajtore për mashtrim, në korrik. Ajo drejtonte një kompani funerali “Sunset Mesa” dhe një entitet të pjesëve të trupit “Donor Services” në Montrose, Kolorado.

Dënimi me 20 vjet burg ishte maksimumi i lejuar sipas ligjit.

Nëna e saj 69-vjeçare, Shirley Koch, gjithashtu u deklarua fajtore për mashtrim dhe u dënua me 15 vjet. Roli qendror i Koch ishte copëtimi i trupave, tregojnë të dhënat e gjykatës.

“Hess dhe Koch përdorën kompaninë e tyre për funerale në disa raste për të vjedhur në thelb trupa dhe pjesë të trupit duke përdorur forma mashtruese dhe të falsifikuara të donatorëve” – tha prokurori Tim Neff në dosjen gjyqësore, raporton Reuters.

“Sjellja e Hess dhe Koch shkaktoi dhimbje të madhe emocionale te familjet dhe të afërmit”.