SHBA i kërkon shpjegim Serbisë për dokumentin që nënshkruan me Rusinë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë një shpjegim nga Serbia për atë që u nënshkrua me Rusinë në Nju Jork, tha ambasadori amerikan Christopher Hill, raporton Rs.n1info
“Në këtë moment, askush nuk duhet të nënshkruajë asgjë me Rusinë, shumë pak e bëjnë. Përveç atyre rekrutëve të varfër që po mobilizohen për të shkuar në luftë” – tha ambasadori amerikan Christopher Hill në një fjalim para gazetarëve pas forumit rajonal “Qeverisja e mirë dhe politikat kundër korrupsionit në kohë pasigurie gjeopolitike”.
Hill tha se gjatë javës së kaluar në Nju Jork janë zhvilluar bisedime të shkëlqyera ndërmjet delegacioneve të SHBA-së dhe Serbisë dhe se në fund të javës edhe pas gjithë atyre bisedimeve kanë marrë vesh për nënshkrimin e protokollit.
Ambasadori amerikan shton se nuk e kanë parë protokollin e nënshkruar, pasi nuk është dokument publik.
“Është e vështirë për ne ta kuptojmë, por duam të dëgjojmë një shpjegim të asaj që është në rrezik”- tha Hill.
Ministrat e Punëve të Jashtme të Serbisë dhe Rusisë, Nikola Selakoviq dhe Sergej Lavrov, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, nënshkruan Planin Konsultativ të Ministrive të Punëve të Jashtme të dy vendeve për dy vitet e ardhshme.
Selakoviq tha se është një çështje teknike, e cila është bërë që nga viti 1996 dhe se marrëveshja po sulmohet nga “ata që as nuk e kanë parë”.
Siç tha ai, ai plan përmban lëvizjet e ardhshme në lidhje me konsultimet e OKB-së për Kosovën, marrëdhëniet bilaterale dhe aktivitetet multilaterale dhe nuk ka asnjë politikë të sigurisë në të.
Më 23 shtator, ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë publikoi në Twitter një video të nënshkrimit dhe shkëmbimit të dokumentit të nënshkruar.
Nga video mund të konstatohet se Plani i Konsultimeve është nënshkruar në ambientet e misionit rus në OKB.
Ky është dokumenti i parë diplomatik i nivelit të lartë që Serbia dhe Rusia kanë nënshkruar që nga 24 shkurti, kur filloi pushtimi rus i Ukrainës.
Për shkak të agresionit të saj kundër Ukrainës, Rusia është nën sanksione nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore.
Autoritetet serbe votuan për disa rezoluta në Kombet e Bashkuara që dënojnë Rusinë për pushtimin e Ukrainës.