ukrainian war set four icons

SHBA: Grupi Wagner ka pranuar armë nga Koreja e Veriut

Shtëpia e Bardhë tha të enjten se grupi “Wagner”, një kompani private ushtarake ruse, ka marrë një dërgesë armësh nga Koreja e Veriut për të ndihmuar forcat e saj që luftojnë krah për krah me trupat ruse në Ukrainë.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se zyrtarët e inteligjencës amerikane përcaktuan se Koreja e Veriut përfundoi një dërgesë fillestare të armëve që përfshinte raketa, muajin e kaluar.

“Ne vlerësojmë se sasia e materialit të dorëzuar tek Wagner nuk do të ndryshojë dinamikën e fushëbetejës në Ukrainë. Por ne sigurisht jemi të shqetësuar që Koreja e Veriut po planifikon të dërgojë më shumë pajisje ushtarake”, tha Kirby.

Të premten, Koreja e Veriut mohoi kategorikisht se kishte dërguar municione në Rusi, duke e quajtur akuzën e SHBA-së për dërgesën e armëve në Rusi “teori e pabazë” e përgatitur nga “disa forca të pandershme”.

Shtëpia e Bardhë ka alarmuar për përfshirjen në rritje të Wagner-it në luftë, pasi ata kanë qenë veçanërisht aktivë në rajonin lindor të Donbasit.

Kirby tha se në disa raste zyrtarët ushtarakë rusë madje kanë qenë “në varësi të komandës së Wagner”.

Zyrtarët e administratës Biden thanë se me shitjet e armëve për grupin ushtarak privat, Koreja e Veriut po shkel sanksionet e OKB-së që ndalojnë Phenianin të importojë ose eksportojë armë.

Ambasadorja Linda Thomas-Greenfield, e dërguara e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, e quajti “të neveritshme” që Rusia, një anëtare e përhershme me tw drejtw vetoje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila vendosi sanksionet, tani po përdor armë të blera nga Koreja e Veriut dhe Irani ” për të vazhduar luftën e saj kundër Ukrainës”.

Një zëdhënës i paidentifikuar në Ministrinë e Jashtme të Koresë së Veriut tha në një deklaratë të transmetuar nga media shtetërore se shteti “mbetet i pandryshuar në qëndrimin e tij parimor për çështjen e “dërgesave të armëve” midis (Koresë së Veriut) dhe Rusisë, gjë që nuk ka ndodhur kurrë”.

Zëdhënësi nuk përmendi vlerësimin e SHBA-së të së enjtes se Koreja e Veriut i dërgoi një sasi armësh Grupit Wagner.

Por ai akuzoi SHBA-në për “akte kriminale që sjellin gjakderdhje dhe shkatërrim në Ukrainë” ndërsa përsëriti mbështetjen e saj ndaj Rusisë në luftë.

“Dua të them se populli rus është populli më i guximshëm me vullnetin dhe aftësinë për të mbrojtur sigurinë dhe integritetin territorial të vendit të tij pa mbështetjen ushtarake të të tjerëve”, tha ai.

Kirby tha se SHBA-ja tani vlerëson se Wagner ka rreth 50.000 persona që luftojnë në Ukrainë, duke përfshirë 10.000 kontraktorë dhe 40.000 të dënuar që kompania ka rekrutuar nga burgjet.

SHBA-ja vlerëson se Wagner, në pronësi të Yevgeny Prigozhin, një aleat i presidentit rus Vladimir Putin, po shpenzon rreth 100 milionë dollarë në muaj në luftë, tha Kirby.

Mercenarët e Grupit Wagner janë akuzuar gjithashtu nga vendet perëndimore dhe ekspertët e OKB-së për shkelje të shumta të të drejtave të njeriut në të gjithë Afrikën, duke përfshirë Republikën e Afrikës Qendrore, Libi dhe Mali.

Wagner është përballur me sanksionet e SHBA-së që nga viti 2017. Departamenti i Tregtisë zbuloi të mërkurën kufizime të reja të eksportit që shënjestërojnë Wagner-in në një përpjekje për të kufizuar më tej qasjen e tij në teknologji dhe furnizime./REL