Beogradi, nëntor 2022 Foto: Gentiana Ahmeti/ KALLXO.com

SHBA, Gjermania e BE e kritikuan, e Serbia thotë se nuk i shkeli detyrimet e Dialogut

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian e Gjermania e kanë quajtur shkelje të detyrimeve të Dialogut Kosovë – Serbi, projektligjin e Serbisë që pretendon juridiksion ligjor në Kosovë.

Pas reagimeve të faktorit ndërkombëtar, Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë, është deklaruar se “legjislacioni në fjalë synon të mbrojë të drejtat dhe sigurinë sociale të popullit serb në Kosovë, duke u harmonizuar me përkushtimin tonë më të gjerë për stabilitetin në rajon”.

Ministria serbe beson që Serbia është e përkushtuar për dialog konstruktiv dhe të hapur me të gjithë partnerët përfshirë BE-në, SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, si dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë.

Arsyetimi i tyre është se në Rezolutën e OKB-së të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme, me të cilën BE-ja mori rolin e lehtësuesit të Dialogut, parashikohet që Dialogu duhet të synojë përmirësimin e jetës së njerëzve.

“Me masat e propozuara, Beogradi synon pikërisht këtë qëllim – të përmirësojë kushtet e jetesës dhe cilësinë e jetës për serbët në Kosovë”- ka shkruar Ministria e Jashtme e Serbisë në rrjetin social “X”.

“Çështja e statusit nuk duhet të ketë kurrë përparësi ndaj të drejtave të njeriut – të cilat janë shkelur rëndë nga një sërë veprimesh të pakoordinuara dhe të njëanshme nga qeveria e Albin Kurtit – dhe as mbi shtytjen për zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese”- shkruan në reagimin e tyre.

Sipas Ministrisë, Serbia mbetet plotësisht e angazhuar në procesin e Dialogut dhe është e përkushtuar për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve, duke përfshirë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe (CSMM).

“Ne besojmë se të gjitha palët, përfshirë partnerët tanë ndërkombëtarë, duhet të mbështesin një qasje të hapur dhe bashkëpunuese për të siguruar që Dialogu të mbetet efektiv dhe me respekt reciprok”- shkruan në reagim.

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) është pajtuar me qëndrimin e Bashkimit Europian se  projektligji i Serbisë që pretendon juridiksion ligjor në Kosovë shkel detyrimet e dialogut Kosovë- Serbi.

Kështu ka deklaruar në emër të DASH-it, Matthew Miller, zëdhënës i këtij institucioni.

“Kosova dhe Serbia secila duhet të zbatojnë marrëveshjen e vitit 2023 duke përfshirë ASM-në (Asociacioni) dhe zgjidhjet e Dialogut për të gjithë qytetarët, përfshirë serbët në Kosovë”- ka shkruar Miller në rrjetin social “X”.

Bashkimi Europian i ka cilësuar si shkelje të qarta të obligimeve të Serbisë në dialogun Kosovë-Serbi, veprimet e fundit që ky shtet i ka ndërmarrë në raport me Kosovën.

“Projektligji i propozuar nga Qeveria e Serbisë [për shpalljen e Kosovës zonë të mbrojtjes së veçantë dhe për organizimin dhe juridiksionin e autoriteteve gjyqësore në ndjekjen e veprave penale në Kosovë] siç është publikuar, paraqet shkelje të qartë të obligimeve të Serbisë për dialogun dhe bie në kundërshtim me ri-angazhimin e saj të fundit për dialogun”- ka thënë zëdhënësja e BE-së, Nabilla Massarali në disa përgjigje për KALLXO.com.

Ajo tha se që nga Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013, Kosova dhe Serbia kanë obligime të qarta në lidhje me juridiksionin e tyre përkatës.

BE-ja i kujton Serbisë se ajo është e detyruar nga të gjitha marrëveshjet e dialogut si pjesë integrale e integrimit të saj në BE dhe i bën thirrje Serbisë që projektligjet të rishqyrtohen në përputhje me rrethanat.

Veprimet e fundit të Serbisë ndaj Kosovës, kryeministri i Kosovës i ka quajtur veprime armiqësore e agresive ndaj Kushtetutës, ligjshmërisë, integritetit territorial, sovranitetit, paqes dhe sigurisë në Kosovë.

Qeveria e Serbisë një ditë më parë ka miratuar projektligjin me të cilin Kosova shpallet zonë e mbrojtjes së veçantë sociale. Ndër tjera, nga qeveria serbe është miratuar edhe projektligji për organizimin dhe kompetencën e autoriteteve gjyqësore në ndjekjen e veprave penale të kryera në territorin e Kosovës.

“Kjo është në të njëjtën kohë edhe sulm ndaj Marrëveshjes Bazike për të cilën Serbia e dimë që ka dërguar një letër me të cilën tërhiqet prej saj, sepse thotë që nuk e respekton integritetin territorial të Kosovës”- tha Kurti në konferencë për media më 29.10.2024.

Qeveria e Serbisë ka miratuar projektligjin me të cilin Kosova shpallet zonë e mbrojtjes së veçantë sociale.

Ndër tjera, nga qeveria serbe është miratuar edhe projektligji për organizimin dhe kompetencën e autoriteteve gjyqësore në ndjekjen e veprave penale të kryera në territorin e Kosovës.

Veprimet e fundit të Serbisë ndaj Kosovës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka quajtur veprime armiqësore e agresive ndaj Kushtetutës, ligjshmërisë, integritetit territorial, sovranitetit, paqes dhe sigurisë në Kosovë.

“Kjo është në të njëjtën kohë edhe sulm ndaj marrëveshjes bazike për të cilën Serbia e dimë që ka dërguar një letër me të cilën tërhiqet prej saj, sepse thotë që nuk e respekton integritetin territorial të Kosovës”- tha Kurti në konferencë për media më 29.10.2024.

Ky vendim i qeverisë së Serbisë vjen pas paralajmërimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në shtator, i cili, duke prezantuar të ashtuquajturat “masa dhe kërkesa” për Kosovën, deklaroi se një prokurori speciale dhe një trup gjykues special do t’i ndjekin penalisht të gjithë ata që marrin pjesë në “persekutimin e popullatës serbe” në Kosovë.

Gjatë adresimit të tij më 13 shtator, Vuçiq kërkoi shpalljen e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kthimin e serbëve në Policinë e Kosovës dhe në gjyqësor, si dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut.