SHBA e zhgënjyer me mbylljen e degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës

Qeveria e SHBA-së është shprehur e zhgënjyer me aksionin e autoriteteve të Kosovës për mbylljen e nëntë degëve të Postës së Serbisë në veri të vendit.

Ambasada e SHBA-së në Kosovë përmes një njoftimi është shprehur “thellësisht e zhgënjyer nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës kundër degëve të postave serbe në veri të Kosovës”.

“Veprimet e pakoordinuara të Kosovës i vënë qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në rrezik më të madh, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar”- shkruan në deklaratën e Ambasadës.

SHBA i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërpresë çdo veprim të mëtejshëm të njëanshëm dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Para më pak se një ore, edhe Bashkimi Europian shprehu zhgënjimin ndaj aksionit të autoriteteve të Kosovës.

Në reagimin e BE-së thuhet se këto veprime shkelin marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

BE i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë vendimin e saj dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të lehtësuar nga BE-ja.

BE-ja është shprehur e gatshme ta përfshijë këtë çështje në agjendën e takimit të ardhshëm të dialogut dhe pret që palët të zhvillojnë ide konstruktive që mund të shërbejnë si bazë për zgjidhje.

Sipas Bashkimit Europian, veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara nuk mund të ofrojnë zgjidhje për këtë apo ndonjë çështje tjetër që i përket procesit të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. 

“Mbyllja e shërbimeve ekzistuese të serbëve të Kosovës, pa ndonjë marrëveshje të re të rënë dakord paraprakisht, do të ndikojë negativisht në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së këtij komuniteti”- shkruan BE.

Nëntë objektet ku vepronte Posta e Serbisë në veri të Kosovës janë mbyllur sot, më 05.08.2024.

Këto posta, sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, vepronin në mënyrë ilegale në katër komunat e veriut të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Lajmi për mbylljen e postave është konfirmuar për KALLXO.com nga zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicë Veriu, Veton Elshani.

Policia tha se ky aksion bazohet në informacionet zyrtare të institucioneve të Kosovës, siç është ARKEP, mbi dyshimin se janë duke operuar posta ilegale, të paregjistruara dhe pa licencë të institucioneve përkatëse të Republikës së Kosovës.