ShBA: Dy oficerë policie plagosen pasi një automjet përplaset me një barrikadë pranë Kapitolit

Një makinë u përplas në një barrikadë pranë Kapitolit të Shteteve të Bashkuara të premten pasdite, duke plagosur dy oficerë të Policisë së Kapitolit, njëri prej tyre i goditur me thikë, thanë zyrtarët e rendit.

Drejtuesi i automjetit u qëllua për vdekje nga policia, sipas njoftimeve.

Policia e Kapitolit thotë se ngjarja ndodhi tek një pikë kontrolli pranë Kapitolit. Incidenti vjen ndërsa zona e Uashingtonit vazhdon të jetë në gatishmëri, gati tre muaj pasi një turmë kryengritësish të armatosur sulmoi Kapitolin ndërsa Kongresi po votonte për të konfirmuar fitoren e presidentit aktual Joe Biden.

Policia e Kapitolit thotë se dikush “godit me një automjet dy oficerë të policisë së Kapitolit”.

Sipas disa burimeve, drejtuesi i automjetit doli nga makina dhe mbante në dorë një thikë.

Njëri nga oficerët që u plagos u dërgua me makinë policie në spital; tjetri po transportohej nga ekipet e urgjencës mjekësore, thanë zyrtarët.

Kompleksi i Kapitolit u vendos në izolim pas imcidentit dhe askush nuk mund të hynte ose të dilte nga godinat e kompleksit.

Rrethimet që pengonin trafikun e automjeteve pranë asaj zone u hoqën së fundmi, pasi Kapitoli filloi të rihapej pas trazirave të 6 janarit./VOA