ShBA donacion për shëndetësinë e Kosovës në vlerë mbi 500 mijë dollarë

Ministria e Shëndetësisë ka pranuar sot një donacion – pajisje mjekësore për ShSKUK-në nga Nick Giacobbe, i ngarkuar me punë i Ambasadës amerikane dhe majori Conley, shef i Zyrës së Bashkëpunimit Mbrojtës të Ambasadës amerikane.

Vlera e donacionit është 520,000 dollarë.

Kështu është bërë e ditur nga Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate për media.

“Në emër të Ministrisë së Shëndetësisë, mjekëve, infermierëve dhe të gjithë punonjësve të kujdesit shëndetësor, por më e rëndësishmja në emër të të gjithë pacientëve me Covid-19 të Kosovës, më lejoni të falënderoj popullin amerikan, qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë ju për mbështetjen tuaj të pandërprerë dhe të palëkundur në këto kohë të vështira kur Kosova po përballet me pandeminë COVID 19 së bashku me pjesën tjetër të botës”, citohet të ketë thënë ministri Latifi gjatë pranimit të donacionit.

Ai theksoi se dhurimi i pajisjeve dhe elementëve të tjerë “do të na ndihmojë të forcojmë më tej kapacitetet tona për të ofruar kujdesin më të mirë të mundshëm për pacientët e prekur nga COVID-19 dhe për të luftuar këtë virus të paprecedentë që ka shkaktuar një kaos në shëndetësinë dhe ekonominë e botës”.

Siç thuhet tutje, ky donacion i rëndësishëm i financuar nga Komanda Evropiane e ShBA-së (EUCOM) dhe i koordinuar nga Zyra për Bashkëpunim Mbrojtës të Ambasadës amerikane është pjesë e mbi shtatë milionë dollarëve që agjencitë e ndryshme qeveritare amerikane i kanë ofruar Kosovës përmes asistencës teknike, pajisjes dhe furnizimit që nga fillimi i pandemisë, duke përfshirë mbi 500,000 doza të vaksinës Pfizer COVID-19.