SHBA dhe Meksika synojnë të ripërtërijnë luftën kundër karteleve të drogës

Shtetet e Bashkuara dhe Meksika janë zotuar të premten për të ripërtërirë luftën e përbashkët kundër karteleve të drogës, gjatë një vizite të një delegacioni të lartë amerikan, përfshirë Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Presidenti i Meksikës, Manuel Lopez Obrador, ka thënë se Meksika nuk dëshiron më helikopterë dhe armë tjera për luftim të trafikantëve të drogës, dhe u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara që të investojnë në zhvillimin ekonomik rajonal.

Në vizitën e tij të parë në Meksikë si diplomat i lartë i SHBA-së, Blinken, i shoqëruar nga zyrtarë tjerë, përfshirë Sekretarin amerikan për Siguri Kombëtare, Alejandro Mayorkas, kanë diskutuar me presidentin meksikan për çështje të sigurisë.

Lopez Obrador e ka përshëndetur “fazën e re” të marrëdhënieve, duke përsëritur ftesën për presidentin amerikan, Joe Biden që të vizitojë Meksikën.

Uashingtoni ka dhënë shenja se është gati që të rindërtojë një program 13 vjet të vjetër të quajtur Iniciativa Merida, përmes së cilit SHBA-ja ka ofruar trajnime për sigurinë.

“Pas 13 vjetëve të Iniciativës Merida, është koha për një qasje të re në bashkëpunimin tonë për siguri, një që do të na paraqesë si partnerë të barabartë në definimin e prioriteteve të përbashkëta për të luftuar sfidat si mungesa e barazisë, korrupsioni dhe fokusimi në fuqizim, jo vetëm të zbatimit të ligjit, por edhe të sistemit shëndetësor, sundim të ligjit dhe mundësi ekonomike për të gjithë”, ka thënë Blinken.

Ai ka thënë se duhet bërë më shumë për të luftuar trafikimin e armëve, rritjen e sigurisë kufitare, shkatërrimin e sistemeve financiare të karteleve dhe abuzimet e të drejtave të njeriut.

Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Meksikës rreth 3 miliardë dollarë prej vitit 2008 për trajnime në fushën e zbatimit të ligjit, si dhe në pajisje, përfshirë helikopterët.

Lopez Obrador ka thënë se investimi në projekte zhvillimore në rajon do ta ndihmonte këtë vend, jo vetëm për ta luftuar trafikimin e drogës, por edhe valën e migrimit – një tjetër sfidë e madhe me të cilën përballen të dyja shtetet.

Duke vënë në pah shkallën e krizës, autoritetet meksikane kanë thënë të premten se kanë ndaluar 652 migrantë pa dokumente, më shumë se gjysma fëmijë, që janë nisur drejt Shteteve të Bashkuara nëpër kamiona me frigoriferë./ REL