Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price

SHBA: Bisedimet me talibanët ishin të sinqerta dhe profesionale

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se kanë zhvilluar diskutime të “sinqerta dhe profesionale” me përfaqësues të talibanëve në Doha, Katar, për dy ditë, dhe janë fokusuar në fushën e sigurisë dhe terrorizmit, përfshirë edhe çështje tjera kyçe për Afganistanin.

“Delegacioni amerikan është fokusuar në shqetësimet për siguri dhe terrorizëm dhe rrugë të sigurt për shtetasit amerikanë dhe shtetasit tjerë të huaj, përfshirë partnerët tanë afganë”, ka thënë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price përmes një deklarate më 10 tetor.

Ai ka thënë se diskutimet janë fokusuar në “të drejtat e njeriut, përfshirë pjesëmarrjen e rëndësishme të grave dhe vajzave në të gjitha aspektet e shoqërisë afgane”.

“Të dyja palët kanë diskutuar ofrimin e ndihmës humanitare të Shteteve të Bashkuara drejtpërdrejt për popullin afgan. Diskutimet kanë qenë të sinqerta dhe profesionale dhe delegacioni amerikan e ka përsëritur se talibanët do të gjykohen nga veprimet dhe jo vetëm fjalët e tyre”, ka thënë ai.

Price ka thënë se diskutimet kanë përfshirë “një delegacion ndërinstitucional nga Shtetet e Bashkuara” dhe “përfaqësues të lartë talibanë”.

Këto kanë qenë bisedimet e para të drejtpërdrejta mes dy palëve, prej kur talibanët kanë marrë kontrollin e Afganistanit në gusht të këtij viti, dhe qëkur trupat perëndimore janë tërhequr nga ky shtet.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se bisedimet nuk nënkuptojnë njohje të rregullit taliban në Afganistan.

Komentet amerikane kanë ardhur pas reagimit të talibanëve, të cilët kanë thënë se bisedimet “shkuan mirë”.

Grupi islamist ka thënë më 10 tetor se Uashingtoni është pajtuar për të ofruar ndihmë humanitare për të ndihmuar në shmangien e krizës ekonomike dhe humanitare në Afganistan, ndonëse ka refuzuar që të njohë udhëheqësit e rinj të shtetit.

Zëdhënësi politik i talibanëve, Suhail Shaheen, ka thënë për agjencinë e lajmeve Associated Press se Ministria e Jashtme ka siguruar SHBA-në se udhëheqësit e shtetit nuk do të lejojnë që territori afgan të përdoret nga ekstremistët për të nisur sulme kundër shteteve tjera.

Këto deklarata kanë ardhur një ditë pasi talibanët kanë thënë se nuk do të punojnë me SHBA-në për të frenuar një degë të dhunshme të grupit militant Shteti Islamik, dhe kanë insistuar se autoritetet amerikane mund të merren vetë me grupin.

Shteti Islamik, grup militant sunit është armik i talibanëve, SHBA-së dhe Perëndimit.

Ky grup ka marrë përgjegjësinë për një mori sulmesh vdekjeprurëse, përfshirë një sulm vetëvrasës më 8 tetor, që ka lënë të vdekur 46 myslimanë shiitë.

Sa kanë qenë në pushtet herën e kaluar, talibanët kanë strehuar Al-Kaidën para se ky i fundit të kryente sulmet e 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara.

Për pasojë, SHBA-ja ka pushtuar Afganistanin më 2001, dhe ka larguar talibanët nga pushteti. Rel