SHBA arreston 210 mijë emigrantë në kufirin me Meksikën në mars, numri më i madh në 20 vitet e fundit

Autoritetet kufitare të SHBA-së arrestuan 210 mijë migrantë që tentonin të kalonin kufirin me Meksikën në mars, totali më i lartë mujor në dy dekada, duke nënvizuar sfidat që e presin në muajt e ardhshëm presidentin amerikan, Joe Biden.

Totali i marsit është një rritje prej 24% nga i njëjti muaj një vit më parë, kur 169 mijë migrantë u kapën në kufi, fillimi i rritjes së emigracionit që la mijëra fëmijë të pashoqëruar në stacionet e patrullimit kufitar të mbushur me njerëz për ditë të tëra, ndërsa ata prisnin vendosjen në strehimoret e mbingarkuara, të drejtuara nga qeveria, raporton Reuters.

Biden, një demokrat që mori detyrën në janar 2021, u zotua të ndryshojë shumë nga politikat e vijës së ashpër të imigracionit të paraardhësit të tij republikan, ish-presidentit Donald Trump, por ka luftuar si në aspektin operativ ashtu edhe politik me një numër të madh të tentativave për kalime.

Republikanët, të cilët shpresojnë të fitojnë kontrollin e Kongresit të SHBA-së në zgjedhjet afatmesme të 8 nëntorit, thonë se kthimi i politikave të epokës së Trump nga Biden ka inkurajuar më shumë imigrim të paligjshëm.

Zyrtarët e Bidenit kanë paralajmëruar se migrimi mund të rritet më tej pasi zyrtarët shëndetësorë të SHBA-së thanë se do t’i japin fund një urdhri kufitar të epokës së pandemisë deri më 23 maj. Urdhri, i njohur si Titulli 42, lejon që azilkërkuesit dhe migrantët e tjerë të dëbohen me shpejtësi në Meksikë për të parandaluar përhapjen e COVID-19.