Selia e NATO-s në Bruksel - Foto: REL/Shutterstock

SHBA: Aleatët e NATO-s janë të bashkuar para bisedimeve me Rusinë

Një zyrtare amerikane tha se anëtarët e NATO-s “qëndrojnë të bashkuar” para bisedimeve me Rusinë mbi të ardhmen e sigurisë evropiane, teksa shqetësimet janë rritur mbi një pushtim të mundshëm rus të Ukrainës.

Të 30 anëtarët e Aleancës ushtarake perëndimore do të takohen me zyrtarët rusë më 12 janar në Bruksel, për të biseduar për kërkesat e Moskës lidhur me garancitë e sigurisë, por edhe për grumbullimin e trupave ruse pranë kufirit me Ukrainën.

Rusia po kërkon që NATO të ndalë zgjerimin nga lindja dhe të tërheqë prapa përparimet e bëra që prej viteve 1990 në Evropën Qendrore dhe Lindore.

“Është bërë krejtësisht e qartë që asnjë aleat brenda aleancës së NATO-s gjatë bisedimeve nuk do të heqë dorë nga çdo gjë që lidhet me politikën e NATO” për pranimin e anëtarëve të rinj, tha më 11 janar ambasadorja amerikane në NATO, Julianne Smith.

“NATO është e hapur dhe e përkushtuar për një dialog të mirëfilltë reciprok me Rusinë”, tha ajo.

“Në të njëjtën kohë, ne qëndrojmë të bashkuar për të penguar kërcënimet kundër aleatëve të NATO-s dhe agresionit rus kundër partnerëve tanë në Evropë”, shtoi Smith.

Rusia ka grumbulluar pothuajse 100,000 trupa pranë kufirit me Ukrainën dhe në Gadishullin e okupuar ukrainas të Krimesë. Këto lëvizje, sipas Shteteve të Bashkuara, mund të jenë përgatitje për pushtimin e Ukrainës.

Zyrtarët dhe analistët perëndimorë thonë se grumbullimi i trupave ruse mund të jetë një përpjekje për t’i bërë presion SHBA-së dhe aleatëve evropianë që të bëjnë koncesione.

Smith ripërsëriti thirrjen e SHBA-së për Rusinë që të shtensionojë situatën duke tërhequr trupat dhe duke u angazhuar në diplomaci.

NATO më 2008 ishte zotuar se do ta pranonte Ukrainën dhe Gjeorgjinë – dy shtete ish-sovjetike që janë në kufi me Rusinë – në Aleancë në të ardhmen.

Rusia e ka cilësuar “vijë të kuqe” anëtarësimin e Ukrainës në NATO. Shumë analistë vlerësojnë se anëtarësimi i Kievit në NATO mund të ndodhë pas një dekade./REL