SHBA akuzon Afrikën e Jugut për ofrimin e armëve për Rusinë

Sekretari i Mbrojtjes i Britanisë, Ben Wallace, i ka konfirmuar raportet se Britania e Madhe po i dhuron Ukrainës raketa me rreze të gjatë “Storm Shadoë”. Wallace ka thënë se ukrainasit do ta kenë “shansin më të mirë për ta mbrojtur veten”.

Ambasadori amerikan Reuben Brigety në Afrikën e Jugut e ka akuzuar këtë vend për ofrimin e fshehtë të armëve për Rusinë – një akuzë që provokoi një qortim të zemëruar nga kryeqyteti jugafrikan, Pretoria. Brigety deklaroi në një konferencë për media se SHBA beson se armët dhe municionet janë ngarkuar në një anije mallrash ruse që u ankorua në një bazë detare në Cape Town në dhjetor. “Ne jemi të sigurt se armët janë ngarkuar në atë anije dhe unë do të vë bast jetën time për saktësinë e atij pohimi”, ka thënë Brigety. Armatosja e Rusisë nga Afrika e Jugut është tërësisht e papranueshme.

Një komandant i brigadës ukrainase që po lufton në rrënojat e qytetit Bakhmut ka thënë se forcat mercenare ruse i kanë shtuar sulmet e bombardimeve dhe artilerisë ditët e fundit dhe nuk po përballen me mungesë municionesh, pavarësisht pretendimeve të shefit të saj për të kundërtën. Shefi i mercenarëve rus Yevgeny Prigozhin deklaroi të enjten se situata në krahët pranë qytetit ukrainas të Bakhmutit po shpaloset në përputhje me “skenarët më të keq nga të gjithë të pritshëm”.

Ministri i mbrojtjes i Polonisë, Mariusz Blaszczak, konfirmoi se ushtria polake ishte në dijeni të një rakete të mundshme që po shkonte drejt Polonisë në dhjetor, megjithatë nuk e informoi qeverinë. Polonia ka qenë në gatishmëri për përhapjen e mundshme të armëve nga lufta në Ukrainën fqinje, veçanërisht pasi dy persona u vranë pranë kufirit nëntorin e kaluar nga ajo që Varshava zyratare arriti në përfundimin se ishte një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase e e lëshuar gabimisht.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, ka thënë se Ukrainës i duhet më shumë kohë për t’u përgatitur për një kundërsulm të shumëpritur pranveror. “Mund të vazhdojmë tutje dhe të jemi të suksesshëm. Mirëpo do të humbnim shumë njerëz. Unë mendoj se kjo është e papranueshme. Andaj që duhet të presim. Na duhet ende pak më shumë kohë”.

Zelenskiy përsëri e ka mohuar çdo përgjegjësi ukrainase për incidentin me dron mbi Kremlin. Rusia e ka akuzuar Uashingtonin dhe Kievin për organizimin e sulmit, të cilin e përshkroi si një atentat ndaj presidentit rus, Vladimir Putin. Putin nuk ishte në Kremlin në atë kohë dhe nuk u shkaktuan lëndime nga dronët.

Një dron ukrainas sulmoi një depo nafte në rajonin kufitar rus të Bryansk, pohoi guvernatori lokal Alexander Bogomaz në një postim në kanalin e tij Telegram të enjten. Nuk pati viktima pas sulmit në objektin pranë qytetit të Klintsy, në pronësi të kompanisë ruse të naftës Rosneft, megjithëse një rezervuar magazinimi u dëmtua pjesërisht, ka thënë guvernatori, Alexander Bogomaz./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala