Shatri: Brenda tre minutave mund të infektoheni me “Omicron”

Varianti i ri “Omicron” është cilësuar nga ekspertët e shëndetësisë si njëri ndër variantet më të përhapura të infeksionit COVID-19 deri më tani në nivel global.

Sipas infektologut në Spitalin e Pejës, Zenel Shatri, varianti “Omicron” mund të përhapet shumë më shpejtë se varianti “Delta”.

Ai sqaron se “Omicron” mund të përhapet brenda tre minutave nga qytetari i infektuar tek tjetri, kështu duke sqaruar se përhapja e variantit “Delta” mund të bëhet brenda 15 minutave.

“Karakteristikë e gripit është se infektueshmëria është shumë më e shpejtë me “Omicron”, tre minuta me qenë në kontakt me njeriun e sëmurë, nëse nuk ke masa mbrojtëse, infektohesh, te “Delta”  duhet me qenë 15 minuta në kontakt me personin e sëmurë”, sqaron ai për KALLXO.com.

Ai pohon se “Omicron” është duke u cilësuar si një grip i rëndomtë “sepse ngjitet shpejtë dhe hiqet më shpejtë, karakterizohet me temperaturë, me dhembje trupi, koll të thatë – ngacmues”, duke shtuar se personat e infektuar me “Omicron” janë duke u trajtuar në shtëpi për shkak se simptomat e tij janë të lehta dhe se shumica prej tyre nuk kanë nevojë për hospitalizim.

Edhe nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës kanë thënë se asnjë nga nëntë personat e infektuar me “Omicron” nuk janë duke u trajtuar në klinika dhe spitale rajonale.

Nëntë rastet e para të infektimit me “Omicron” në Kosovë janë shfaqur dy ditë më parë pas testimit të 22 mostrave pozitive me COVID-19, të dyshuara për “Omicron” nga kitet e pranuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

“Omicron” është varianti i ri i infeksion të COVID-19. Sipas ekspertëve të shëndetësisë vaksinimi është njëra ndër mënyrat e vetme për të parandaluar vdekshmërinë nga variantet e reja të coronavirusit.

Sa i përket gjendjes së pacientëve të infektuar me coronavirus, ShSKUK në raportin 24 orësh tregon se një pacient është duke u trajtuar në mjekimin intensiv në Klinikën Infektive në QKUK ndërsa tetë pacientë të tjerë janë nën asistim me oksigjeno – terapi.

Në klinikën e Pulmologjisë trajtim mjekësor janë duke pranuar 29 pacientë post- COVID.

Për shkak të përhapjes së “Omicron” shumë vende të botës kanë marrë masa të reja për të parandaluar përhapjen e këtij varianti.

Një gjë e tillë nuk dihet nëse do të bëhet edhe në Kosovë.

Në një përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë dhënë për KALLXO.com thuhet se do të vazhdohen masat të cilat janë në fuqi pasi që sipas tyre është duke vazhduar edhe procesi i vaksinimit kundër coronavirusit, duke theksuar se ministria pranon rekomandimet e komisionit këshillëdhënës lidhur me pandemisë COVID-19.

“Aktualisht janë në fuqi një sëri masash të cilat duhet të zbatohen me përpikëri dhe të vazhdojë vaksinimi i plotë. Çdo ndryshim i masave është i lidhur me zbatimin e tyre dhe vaksinimin”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Sipas masave të cilat janë aktualisht në fuqi, kushdo që hyn në Kosovë duhet të paraqesë dëshmi të vaksinimit të plotë, teste negative ose dëshmi se është shëruar nga virusi.

Këto masa janë në fuqi deri më 3 janar 2022.

Në kohën kur bota po përballet me shpejtësinë e përhapjes së variantit “Omicron”, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka udhëtuar për në ShBA.

Nga kabineti i tij thonë se që nga koha kur ka marrë mandatin si ministër është hera e parë që udhëton për në ShBA.

Këshilltari politik në Ministrin e Shëndetësisë, Drin Podrimqaku, thotë se Latifi ka udhëtuar edhe për çështje të punës mirëpo do të vizitoj edhe familjen.

Në anën tjetër, në nivel vendi aktualisht janë 350 raste aktive me COVID-19, nga të dhënat e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë kuptojmë se 13 qytetarë kanë rezultuar pozitivë me SARS-CoV-2 përderisa nuk është evidentuar asnjë rast i vdekjeve gjatë 24 orëve të fundit.

COVID-19 në Kosovë është shafaqur për herë të parë më 13 mars 2020, dhe për më tepër se një vit janë infektuar mbi 161 mijë qytetarë prej tyre mbi 2 mijë kanë vdekur.