Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Shaqir Totaj kompleton kabinetin

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, sot ka emëruar drejtorin e Inspektorateve dhe drejtorin e Ekonomisë dhe Financave, në këtë mënyrë ka kompletuar kabinetin me të cilin do të udhëheqë komunën në katër vitet e ardhshme.

Në krye të Drejtorisë së Inspektorateve është emëruar Islam Ukaj kurse me Drejtorinë e Ekonomisë dhe Financave do të udhëheqë Sulltan Badalli.

Në këto trembëdhjetë drejtoritë në Komunën e Prizrenit janë emëruar 5 gra dhe 8 burra.

Drejtoria e Arsimit dhe Shkencës – Luljeta Veselaj Gutaj, Drejtoria e Shërbimeve Publike – Çelë Lamaj, Drejtoria e Administratës – Edin Shehu, Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor – Pranverim Berisha, Drejtoria e Kadastrës dhe Gjeodezisë – Senxhar Karamuço, Drejtoria e Shëndetësisë – Burbuqe Berisha, Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural – Bexhat Bytyqi, Drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik – Lirija Bytyqi, Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – Adem Morina, Drejtoria e Punës dhe Mirëqenies Sociale – Vjollca Kabashi dhe Drejtoria e Emergjencës dhe Sigurisë – Ramize Shala.

Bexhat Bytyqi, Çelë Lamaj, Luljeta Veseli Gutaj dhe Adem Morina janë drejtorët që vijnë nga partia që fitoi shumicën në Prizren, PDK.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës(AAK) do të përfaqësohet me tri gra në ekzekutiv, Burbuqe Berishën, Vjollca Kabashin dhe Ramize Shalën.

Lirie Xhemaj Bytyqi, Pranverim Berisha dhe Edin Shehu janë drejtorët komunalë nga NISMA Socialdemokrate.

Senxhar Karamuço vjen nga Partia Demokratike Turke e Kosovës.

Kujtojmë se dje, kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka emëruar nënkryetar të komunës, Kujtim Gashin kurse Nehat Elshanin e ka emëruar shef të kabinetit.

Kujtojmë që Kujtim Gashi akuzohej se kishte keqpërdorur pasurinë publike duke lidhur kontrata pa procedura të prokurimit me televizionet TV Besa dhe TV Opinion, për transmetimin e seancave të Asamblesë më 8 janar 2015 në shumën prej 250 euro për çdo seancë.

Ndërsa pagesat për këto shërbime janë autorizuar gjatë vitit 2016 në shumën prej 1,750 euro.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë të cilat i ka hudhur poshtë Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit, Gashi akuzohej se kishte lidhur kontratë me TV Opinion më 08 janar 2015, në shumën prej 400 euro për transmetimin e seancave të Asamblesë Komunale ndërsa pagesat janë autorizuar gjatë vitit 2015, 2016 në shumën prej 6,700 euro.

Gjithsej për këto dy televizione, sipas aktakuzës janë proceduar pagesa në shumën prej 8,450 euro, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, duke kryer kështu veprën penale – keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar.

Për këtë rast, Gjykatat Supreme e Kosovës ka konstatuar se aktgjykimet lirues në rastin e Gashit në shkallë të parë dhe të dytë janë marrë në kundërshtim dhe në shkelje me ligjin penal.