Shaqir Totaj

Shaqir Totaj kandidati zyrtar për kryetar të Prizrenit nga PDK

Partia Demokratike e Kosovës ka zyrtarizuar kandidatin, Shaqir Totaj për kryetar të Prizrenit.

Totaj në fjalën e tij ka thënë se në rast të zgjedhjes si kryetar i Prizrenit do të përmirësoj kualitetin e jetës së qytetarëve.

“Jemi dëshmitarë të një zhgënjimi të qytetarëve të Prizrenit, zhgënjim i cili ka ardhë pas premtimeve të mëdha dhe pas mungesës së përformancës së pushtetit lokal. Kandidatura ime do të jetë kandidaturë përtej një partie, e cila bazohet në vizion qytetar për kthim të reputacionit, prestigjit dhe përmirësim të kualitetit të jetës në Prizren”, ka thënë ai.

Ndërkaq, U.D i kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për degradim të qytetit të Prizrenit.

“Por sot pamjet janë të qarta si kristali, sepse PDK ndërton e punon, kurse VV-ja rrënon e abuzon! Kurrë nuk ka qenë më i degraduar arsimi në Prizren, me dhjetëra shkolla që ankohen çdo ditë për mungesë arsimtarësh e organizimi për ofrimin e mësimit të mirëfilltë. Kurrë nuk ka qenë më i degraduar se sot mjedisi, me më shumë bërllok e papastërti në rrugët e lumenjtë e qytetit. Dhjetëra aktakuza për drejtorët komunal e shumë denoncime për afera milionëshe e abuzime me paratë e qytetarëve të Prizrenit”, ka theksuar Hoxhaj.